Sekretari mohon se është suspenduar

23:28 | 29 Gusht 2018
V. S.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani ka shkarkuar sot sekretarin e kësaj ministrie, Burim Rrecajn për “paaftësisë profesionale dhe keqadministrimit”. Ai dyshohet se është implikuar drejtpërdrejt në ndarjen e grandeve dhe ka bërë presion në konkurset për rekrutimin e stafit civil.

Insajderi ka siguruar sot vendimin me anë të secilit Rrecaj është shkarkuar nga kjo pozitë, ani pse Rrecaj mohon një gjë të tillë. Në vendimin e protokolluar sot thuhet se shkarkimi i sekretarit hynë menjëherë në fuqi.

Rrecaj gjatë ditës së sotme ka mohuar se është shkarkuar nga pozita e tij. Ai për zërin ka thënë se nuk është njoftuar për shkarkimin e tij dhe se vazhdon ta mbaj postin e sekretarit.

“Pushimin ma ka nënshkruar ministri. Unë gjendem në pushim vjetor. Unë nga mediat jam njoftuar kinse unë jam shkarkuar nga pozita e sekretarit. Kinse për ketë shkarkim unë, as kabineti im nuk ka asnjë njoftim. Unë kam qenë dhe mbetem sekretar”, ka thënë ai.

Insajderi kishte raportuar edhe më parë për emërimin e Rrecajt në pozitën e sekretarit të përgjithshëm në MTI. Emërimi i tij ishte vlerësuar si i kundërligjshëm nga ambasada britanike. Ambasada thoshte se Rrecaj është emëruar në këtë pozitë pavarësisht se nuk i kishte plotësuar kushtet.

“Rezultati përfundimtar sipas mendimit profesional të Partnerit Zbatues të projektit tonë gjen se vetëm një person kishte përmbushur kriteret për t’u emëruar në këtë pozitë. Kandidatët e tjerë kishin dalë me më pak pikë dhe nuk ishin të nivelit për emërim në këtë pozitë. Në këtë pozitë nuk është emëruar kandidati i vetëm që ka përmbushur kriteret”, kishte vlerësuar Ambasada Britanike në Kosovë.

Me vendimin 11/26, Qeveria kishte emëruar Burim Rrecaj Sekretar të Përgjithshëm të MTI-së, edhe pse ai nuk i plotësonte kriteret për këtë pozitë të lartë në shërbimin civil.

Për intervistimin e kandidatëve për Sekretar të Përgjithshëm të MTI-së, komisioni vlerësues ka qenë i mbështetur edhe nga kompania britanike, sipas memorandumit të nënshkruar të Qeverisë së Kosovës me Ambasadën Britanike në Prishtinë.

Në bazë të vlerësimit të kompanisë britanike dhe komisionit vlerësues, e vetmja kandidate e cila i ka plotësuar kriteret për t’u emëruar Sekretare e Përgjithshme ishte Gentiana Islamaj, e cila deri në fund të janarit 2018 ishte ushtruese e detyrës së sekretares së përgjithshme në MTI.

Burim Rrecaj, i cili ishte zgjedhur nga Qeveria në pozitën në fjalë, ishte renditur i katërti me pikë. Ai arriti që të përfshihet në listën e tre kandidatëve të cilët Ministria e Administratës Publike i ka dërguar në Qeveri vetëm pas largimit nga procesi në mënyrë të pashpjegueshme të njërit prej kandidatëve./Insajderi.com/

Shpërndaje në rrjete sociale