Çmimet e biletave të avionëve janë rritur sërish, por këtë herë për udhëtimet nga Shqipëria drejt vendeve të tjera. Nga një kërkim i thjeshtë në internet rezulton se, çmimi i një bilete fluturimi nga Tirana drejt Milanos për javën tjetër nis nga 274 dollarë, në një kohë që kthimi kushton gati 4 herë më pak.
“Në Shqipëri, fluturimet ajrore janë të ndikuar shumë nga lëvizja e emigrantëve. Lëvizja e tyre ka atë periudhën kohore si zakonisht, vijnë në korrik dhe ikin në gusht. Duke qenë se është kërkesa më e madhe, oferta është e njëjtë si në dimër, edhe në verë. Atëherë çmimet rriten”,- tha Besnik Vathi, sipërmarrës agjencie turistike.
Por, çmimet e biletave në Shqipëri nuk janë të shtrenjta vetëm kur ka fluks.
“Duke parë tendencën, jo thjesht për një periudhë të caktuar, por në përgjithësi vjetore apo të përvitshme, çmimet e biletave të fluturimeve ajrore në Shqipëri janë shumë më të larta sesa ato të vendeve fqinje, si Prishtina, Podgorica, Ohri, Shkupi, apo edhe Korfuzi”,- tha më tej Besnik Vathi.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë 6 muajve të parë të këtij viti, përmes Rinasit fluturuan mbi 1.6 milionë udhëtarë, ose 200 mijë më shumë sesa një vit më parë. Ky është një fluks më i madh sesa ai i vendeve fqinje. Por, atëherë, përse biletat në Shqipëri kushtojnë më shtrenjtë?
“Faktori i parë është Aeroporti i Rinasit, që ka shpenzime shumë më të larta sesa aeroportet e tjera. Faktori i dytë është karburanti, që te ne shkon gati 25-30 për qind më shtrenjtë për avion. Faktori i tretë janë taksat aeroportuale, që ne i kemi shumë më të shtrenjta se në çdo vend tjetër”,- deklaron Vathi.
Qeveria ka hapur procedurat për hapjen e Aeroportit të Kukësit, si dhe ndërtimin e një aeroporti të ri në Vlorë. Paralelisht, Ministria e Financave dhe ajo e Infrastrukturës kanë nisur auditimin e koncesionit të Aeroportit të Rinasit.
Sipas qeverisë, këto masa do të sjellin uljen e çmimit të biletave, të cilat shqiptarët prej vitesh i paguajnë shtrenjtë. Ndërsa në qershorin që vjen pritet të nisë fluturimet edhe “Air Albania”./TCH/
IHMK paralajmëron reshje shiu dhe bore nga e marta në Kosovë...
Como e Vojvodës fiton derbin me Romën
Putin i ofroi ndihmë personalisht pas sulmit që iu bë, udhëh...
Rregulla të forta për plazhet e shqiptare, gjoba deri në 4 m...
Mbi 1 mijë zyrtarë publikë kanë deklaruar pasurinë
Gjermania ‘skeptike’ në lidhje me misionin detar të BE-së në...