Komunat sanksionohen me mosrishikim buxhetor

08:27 | 7 Gusht 2018
V. S.

Vendimi i ministrit të Financave Bedri Hamza për mosrishikim të buxhetit këtë vit po vlerësohet në përputhje me planin e Qeverisë dhe me objektivat zhvillimore. Por, ndryshe nga deklarimet e dikasterit që drejton ministri Hamza alarmojnë ekspertët e ekonomisë, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Ekspertët e ekonomisë nuk janë të një mendimi me ministrin e Financave Bedri Hamza sa i përket çështjes së rishikimit buxhetor. Përderisa Hamza e ka parë të arsyeshme që këtë vit buxheti të mos rishikohet fare për shkak të planifikimit të mirë, krejtësisht ndryshe janë shprehur kundërshtarët e ministrit.

Naim Gashi, njohës i rrethanave ekonomike në vend, i ka thënë gazetës “Zëri” se rishikimi buxhetor është i domosdoshëm brenda një ekonomie nacionale dhe në praktikat elementare. “Rishikimi i buxhetit përbën një element esencial për të nxitur zbatimin e projekteve kapitale dhe projekteve të tjera brenda një ekonomie nacionale dhe është i domosdoshëm në praktikat parlamentare”, ka deklaruar më tutje Gashi. Por, deklarata kundërthënëse me të kanë dhënë në Ministrinë që udhëheq ministri Bedri Hamza. Në përgjigjen me shkrim të këtij institucioni thuhet se rishikimi buxhetor nuk është obligim ligjor, ndërsa është duke u zhvilluar në harmoni me prioritetet dhe me objektivat zhvillimore të institucionit./Zëri/

Shpërndaje në rrjete sociale