Google ADS

Apple mbizotëron tregun global të telefonave inteligjentë

18:30 | 4 Mars 2015
Arbresh Info

Për herë të parë që nga viti 2011, Apple mbizotëroi tregun global të telefonave inteligjentë për numrin e madh të njësive të shitura gjatë një tremujori. Kompania shiti 74.8 milionë iPhone në tre muajit e fundit të vitit 2014, duke ia tejkaluar Samsung-ut, e cila shiti 73 milionë pajisje, duke u vendosur kështu në vend të dytë për tremujorin e katërt të vitit 2014.

Në tremujorin e katërt të vitit 2013, Samsung ishte në vend të parë, me 83.3 milionë telefona inteligjentë të shitur. Më pas ishte Apple, me 50.5 milionë pajisje të shitura në këtë tremujor. Apple pati një numër rekord shitjesh të pajisjeve të saj falë iPhone 6 me ekran 4.7 inç dhe iPhone 6 Plus-it me ekran 5.5 inç. Këta vërtetuan se njerëzit pëlqejnë pajisjet me ekran të madh.

Këto të dhëna u përpiluan nga firma hulumtuese e tregut, Gartner. Të dhënat e publikuara nga kjo firmë tregojnë se Apple zuri 20.4% të tregut mbarë botëror të telefonave inteligjentë në tre muajt e fundit të vitit 2014, krahasuar me Samsung-un, e cila zuri 19.9% të tregut.

Këto të dhëna janë të ngjashme me ato të publikuara nga Counterpoint Research në fillim të muajit janar. IDC, nga ana tjetër, vendosi Samsung-un në vend të parë për periudhën tetor-dhjetor 2014. Duhet të theksojmë se të dhënat e Gartner bazohen tek shitjet e pajisjeve tek përdoruesit, ndërsa Counterpoint dhe IDC janë bazuar tek tregtimet e këtyre pajisjeve.

Gartner vendos çiftin Lenovo-Motorola në vend të tretë për tremujorin e katërt, të cilët zunë vetëm 6.6% të tregut. Huawei është në vend të katërt, ndërsa Xiaomi në vend të pestë. Kjo e fundit ka pasur rritjen më të madhe gjatë këtij tremujori, pasi shitjet e saj u trefishuan në 18.6 milionë njësi. Për gjithë 2014, Xiaomi trefishoi shitjet e saj në 61.1 milionë telefona. Ndërsa për gjithë vitin, Samsung qëndron në vend të parë, me 307.5 milionë telefona inteligjentë të shitur. Apple shiti 191.4 milionë iPhone për gjithë vitin 2014. Lenovo, Huawei dhe LG bëjnë pjesë gjithashtu në top pesëshen e parë për vitin e kaluar./krokodili.al/

Shpërndaje në rrjete sociale