Google ADS

UEFA e përjashton edhe një klub tjetër nga garat evropiane

14:42 | 25 Prill 2018
Arbresh.info

Panathinaikos nuk do të mundë të marrë pjesë në kompeticionet evropiane në tri sezonet e ardhshme.

UEFA e ka përjashtuar klubin grek për shkak të detyrimeve financiare të pashlyera, lajm që u publikua nga rrjeti britanik BBC.

UEFA i kishte vendosur Panathinaikosit 1 marsin, si afat të fundit për të shlyer këto detyrime, gjë që nuk ndodhi.

Futbollistët e skuadrës greke hynë në grevë në fillim të këtij muaji, në shenjë proteste, pasi nuk kanë marrë pagat e tyre që nga viti i kaluar, gjë që nuk përmbush vendimin e dhënë nga UEFA në muajin dhjetor, duke bërë që ky institucion t’i vendosë edhe një gjobë prej 100 mijë eurosh Panathinaikosit.

Por, telashet për Panathinaikosin për këtë sezon nuk mbyllen këtu. Përpara këtij penalizimi, klubi grek kishte marrë edhe një ndëshkim tjetër. Përpara disa muajsh, skuadrës greke iu hoqën 3 pikë nga klasifikimi, pasi nuk i kishte dhënë pagën ish-futbollistit të saj, Jens Wemmer.

Panathinaikos është skuadra greke më e suksesshme në kompeticionet europiane. Ai ka qenë finalist i Kupës së Kampioneve në vitin 1971 dhe ka mundur që të kualifikohet në gjysmëfinalet e këtij aktiviteti në vitet 1985 dhe 1996, ku u mposht nga Liverpooli dhe Ajaksi.

Çështja financiare e Panathinaikosit është një prej skandaleve që ka shoqëruar futbollin grek. Skandali më i madh ishte ai i PAOK-ut, presidenti i të cilit, Ivan Savidis hyri i armatosur në fushën e lojës gjatë sfidës me AEK-un, e këtë e pësoi skuadra e tij, e cila u ndëshkua nga Federata greke e Futbollit duke humbur edhe titullin kampion kundrejt skuadrës nga Athina.

Shpërndaje në rrjete sociale