Google ADS

Sylvinho pas Evropianit, kërkon kualifikimin në Kupën e Botës

08:09 | 2 Dhjetor 2023
K.B

Trajneri i Shqipërisë, Sylvinho, ka treguar synimin e tij pas kualifikimit në Kupën e Botës.

Braziliani ka dhënë një intervistë për FIFA-n, ku ka folur për kualifikimin në “EURO 2024”.

“Objektivi kryesor në afat të gjatë, pas gjashtë muajsh është që të zhvillojmë një turne të denjë. Objektivi i dytë është ta çojmë përpara planin tonë, ta kthejmë në traditë Europianin dhe të kualifikohemi në Kupën e Botës, diçka që Shqipëria nuk e ka arritur kurrë. Imagjinoni sikur të kemi një Evropian të shkëlqyer vitin e ardhshëm dhe të arrijmë në çerekfinale. Do të ishte e mahnitshme, por nuk do të thoshte shumë nëse nuk do ta ndiqnim këtë sukses dhe nuk do të vazhdonim zhvillimin tonë. Ne duam të bëjmë progres në dy drejtime: të kemi një turne të denjë në “Euro 2024” dhe më pas të kemi mbështetjen e vendit, FSHF-së dhe lojtarëve në mënyrë që të bëjmë mirë edhe në kualifikueset e Kupës së Botës dhe të luajmë rregullisht në këto kompeticione.

Trajneri vlerësoi edhe punën e madhe të bërë nga lojtarët, duke thënë se përkushtimi në punë është çelësi i suksesit.

“Gjithçka ka të bëjë me angazhimin në stërvitje. Ka më shumë se 10 vjet që skuadrat po mbrohen me 10 lojtarë. Mbrojtja më e mirë është vetë sistemi. Mund të kesh tre qendërmbrojtës fantastikë dhe portierin më të mirë në botë, por nëse nuk ke përkushtim në punë, atëherë do të pësosh gola. Askush nuk mbrohet me katër ose pesë kundër pesë ose gjashtë. Sulmuesit janë më të shpejtë, më kreativë dhe më inteligjentë në zonën e sulmit dhe gjithçka ka të bëjë me përkushtimin në punë”.

Shorti final i turneut hidhet më 2 dhjetor, por pavarësisht se çfarë do të sjellë për Shqipërinë, Sylvinho e di se detyra nuk do të jetë e lehtë. /Lajmi.net/

Shpërndaje në rrjete sociale