Shpërthejnë polekimat në Bosnje, ‘spiuni’ italian shfaqet në stërvitjen e boshnjakëve para finales me Italinë

23:04 | 30 Mars 2026
D.H

Pak orë nga fillimi i ndeshjes që do të vendosë fatin për Botërorin mes Bosnjës dhe Italisë, tensionet sa shkojnë e rriten.

Këtë herë polemikat nuk u ndezën as nga festimet e as nga gjendja e stadiumit të Zenica, por nga një foto e një “spiuni” të dyshuar ushtarak italian që ishte i pranishëm brenda fushës stërvitore të Bosnjës për të filmuar futbollistët e kombëtares boshnjake.

Media boshnjake hodhën akuza për praninë e një “spiuni” italian në stërvitjen e kombëtares vendase, duke pretenduar se një ushtar i misionit ndërkombëtar EUFOR kishte filmuar seancën stërvitore të lojtarëve të Bosnjës, përfshirë edhe kapitenin Edin Džeko. Sipas raportimeve, ushtari ndodhej pranë fushës dhe kishte qëndruar aty edhe pas 15 minutave të para të stërvitjes, të cilat ishin të hapura për publikun.

Ky lajm shkaktoi menjëherë reagime dhe polemika të forta, duke ndezur edhe më shumë atmosferën përpara përballjes së rëndësishme. Megjithatë, burime nga mbrojtja italiane reaguan shpejt për të qetësuar situatën, duke mohuar kategorikisht çdo pretendim për spiunazh.

Sipas tyre, bëhej fjalë thjesht për një ushtar italian që ndodhej në bazën ushtarake pranë fushës dhe po vëzhgonte stërvitjen, pa asnjë qëllim të fshehtë apo aktivitet të paligjshëm.

Ky rast është cilësuar si një formë “spiunazhi” dhe ka shkaktuar reagime të forta. Federata e Futbollit e Bosnjë dhe Hercegovinës ka paraqitur një ankesë zyrtare në EUFOR, misionin e Bashkimit Evropian në vend.

Ngjarja ka shtuar edhe më shumë tensionin para përballjes mes Bosnjës dhe Italisë, duke e bërë atmosferën edhe më të nxehtë.

Ndeshja mes Bosnjës dhe Italisë pritet me shumë interes pasi Italia kërkon Botërorin pas dy mungesave të mëdha në 2018 dge 2022, kurse Bosnja po ashtu kërkon Kupën e Botës për herë të dytë në histori pas asaj të vitit 2014./Arbresh.info