Brahim Diaz po tërheq vëmendjen jo vetëm në fushë gjatë Kupës së Afrikës me Marokun, por edhe në zyrat e Real Madridit. A do të ndryshojë më në fund statusi i tij te “Los Blancos”? Klubi duket se ka marrë masa, por ende mbeten pikëpyetje.
Pas golit të shënuar kundër Zambisë në fitoren 3-0, Brahim Diaz konfirmoi formën e tij të shkëlqyer në CAN 2025. Ylli i “Luanëve të Atlasit” u bë lojtari i parë maroken që shënon në tre ndeshjet e para të turneut që nga viti 1972. Një hakmarrje e bukur për futbollistin që ende nuk ka arritur të sigurojë një vend titullari te Real Madridi.
Nga ana e tij, selektori Walid Regragui u shfaq shumë i kënaqur me paraqitjet e Diazit, veçanërisht në një moment kur Maroku priste rikthimin e Achraf Hakimit. Brahim mori përgjegjësinë dhe bëri diferencën.
“Jam shumë i lumtur për Brahim Diaz, sepse ishte kritikuar shumë në ndeshjet miqësore. Nga ai pritet shumë dhe ai bëri pikërisht atë që prisnim. Është lojtar që bën diferencën në çdo moment. Ka hyrë në turne me mentalitet shumë të mirë. Është një lojtar ‘kirurgjikal’, që mund të na fitojë ndeshjen në çdo çast. Bën më shumë lëvizje, është gjithmonë i gatshëm për ekipin”, u shpreh Regragui në konferencë për shtyp.
Fillimi i shkëlqyer i Diazit nuk ka kaluar pa u vënë re as në Spanjë.
Rinovim i mbyllur apo ende jo?
Ndërsa pritet të shihet nëse Maroku do të arrijë të fitojë Kupën e dytë të Afrikës në histori, performancat e Brahim Diazit po lidhen drejtpërdrejt me situatën e tij të ndërlikuar te Real Madridi. Rezervë nën drejtimin e Carlo Ancelottit, statusi i tij nuk ka ndryshuar as me ardhjen e Xabi Alonsos.
Diaz ka zhvilluar 18 ndeshje këtë sezon (1 gol dhe 2 asistime), por vetëm 7 prej tyre si titullar, duke grumbulluar 484 minuta lojë – rreth 27 minuta për ndeshje. Me kontratë deri në vitin 2027, lind pyetja: a mund të ndryshojë roli i tij pas një suksesi eventual në CAN?
Gazetari i Cadena SER, Anton Meana, zbulon se Real Madridi ka tentuar ta “blindojë” lojtarin.
“Sipas burimeve pranë Brahim Diazit, marrëveshja për rinovim deri në vitin 2030 është arritur, por klubi ka kërkuar diskrecion dhe rrethi i lojtarit po e respekton këtë. Nga ana e Real Madridit thuhet se kontrata ende nuk është firmosur. Negociatat kanë qenë të shpejta dhe të lehta”, deklaroi Meana, duke shtuar megjithatë një shqetësim.
“Më shqetëson fakti që ende nuk ka firmë, sepse Brahim ka oferta nga Europa dhe Arabia Saudite. Ai dëshiron të luajë më shumë, të kontribuojë më shumë, të jetë më i rëndësishëm dhe mbi të gjitha të ketë të njëjtat mundësi si të tjerët.”
“Kemi raketa Javelin dhe tri anije patrulluese”, Rama: Ushtr...
Komuna e Prishtinës vendos t’i japë në shfrytëzim 5288 prona
Ngritet aktakuzë ndaj S.A. për krime lufte në Gjilan
Dita e Veteranit, Bekim Jashari: Nga 30 dhjetori 1991, Adem ...
Maurizio Sarri i nënshtrohet një ndërhyrjeje në zemër, prite...
Përplasje mes pozitës dhe opozitës për listën e pronave komu...