Sezoni i katërt radhazi në CHL që përballen Real – City, ky është bilanci

17:05 | 11 Shkurt 2025
D.H

Manchester City dhe Real Madridi do të përballen sonte në një tjetër betejë për kualifikim në rrethin tjetër të Ligës së Kampionëve.

Ky është sezoni i katërt radhazi që dy gjigantët evropian takohen mes vete në një sfidë eliminuese, shkruan Arbresh.info.

Fillimisht ishte sezoni 2021/22 ku dy skuadrat u takuan në gjysmëfinale të kësaj gare.

Në dy ndeshjet e luajtura në atë vit dy skuadrat shënuan nga një fitore. City e mposhti Realin në “Etihad Stadium” me rezultat 4-3. Teksa, Real Madridi u “revanshua” në Spanjë, duke fituar 3-1 pas vazhdimeve dhe eliminuar Cityn e Guardiolës. Më pas atë vit Real Madridi e fitoi Ligën e Kampioënve.

Përballja tjetër ishte në sezonin 2022/23 sërish në një gjysmëfinale.

Kësaj radhe City iu “hakmor” Real Madridin duke eliminuar madrilenët dhe më pas fitoi Ligën e Kampioëneve për herë të parë në histori.

Ndeshja e parë mes tyre në atë sezon përfundoi 1-1 në “Santiago Bernabeu”. Sfida e dytë ishte fatale për “Los Blancos”, ku u mposht me rezultat 4-0 në “Etihad Stadium”.

Se këto dy skuadra e “duan” fort njëra tjetrën tregoi edhe shorti i sezonit të kaluar ku i përballi sërish për të tretin vit me radhë, kësaj radhe në çerekfinale të kësaj gare.

Dy sfidat e sezonit të kaluar që prodhuan dramë të vërtete secila nga ndeshjet përfundoi baras. Fillimisht në “Bernabeu”, takimi i parë u mbyll 3-3. Ndërsa në ndeshjen e kthimit shifrat ishin 1-1, pas kohës së rregullt.

Ndeshja nuk prodhoi fitues as në vazhdime dhe takimi u vendos pas penalltive, ku Reali ishte më i saktë dhe arriti ta kaloj këtë pengesë dhe në fund u shpall kampione.

Në tre sezonet e fundit fituesi i kësaj përballje e ka fituar edhe Ligën e Kampionëve në fund dhe sot nis beteja e katërt radhazi mes këtyre dy palëve dhe mbetet për t’u parë epilogu final.

Ndeshja e sotme nis nga ora 21:00 dhe luhet në “Etihad Stadium”, kurse sfida kthyese luhet pas një jave në “Santiago Bernabeu”.

Këto dy skuadra në përgjithësi të kësaj gare janë takuar plotë 12 herë ku anglezët kanë fituar katër përballje, pesë të tjera janë mbyllur baras kurse tri i ka fituar Real Madridi./Arbresh.info