Rikthehet “furtuna” e Vëllaznimit/Don Polloshka për Arbresh.info flet rreth “betejës” pas lëndimit dhe synimeve të tij

17:04 | 2 Shkurt 2025
E.H

Karakteri i fortë, lufta për çdo top, e karakterizojnë basketbollistin e Vëllaznimit, 22 vjeçarin, Don Polloshka.

Doni u ballafaqua me një lëndim të rëndë, mirëpo u rikthye këtë sezon më fuqishëm për t’i ndihmuar gjakovarëve në plotësimin e objektivave, shkruan Arbresh.info.

Si një nga lojtarët me më së shumti ndikim në skuadër nga vendorët që ka në klub Vëllaznimi, në një intervistë për Arbresh.info, Doni ka folur rreth lëndimet që e mbajti gjatë larg palestrave, synimeve dhe objektivave me klubin gjakovar si dhe një ftesë të mundshme nga kombëtarja e Kosovës për dy ndeshjet e muajit shkurt.

Ish-basketbollisti i Sigal Prishtinës tregon si e gjeti forcën për t’u rikthyer në basketboll sërish pas atij dëmtimi të gjatë që e pësoi.

“Po e vështirë ka qenë sepse dihet se lëndimi që kam pasur unë pra lëndimi i ACL-së është ndër lëndimet më të rënda dhe me rikuperim më të gjatë sesa lëndimet tjera. Rreth 20 muaj kam qenë jashtë pra gati dy vjet ka zgjatur rikuperimi im. Ka qenë shume vështirë po me përkushtim të madh, me ndihmën e familjes dhe dëshirën e madhe për basketboll rikthimi u bë i mundshëm. Ende nuk jam ne formën me te mire te mundshme pra nuk jam ne 100% tim por me kalimin e kohës besoj qe do ta arrijë formën time maksimale”, tha Polloshka.

Vëllaznimi ka besuar në aftësitë e tij gjithmonë, kjo ka bërë që ai të vazhdojë dhe të jetë pjesë e këtij klubi.

“Jo diçka konkrete nuk kam pasur ndonjë oferte por edhe nëse do kishte pasur ndonjë oferte unë do të vazhdoja me qene pjesë e klubit KB Vëllaznimi për shkak të besimit të madh që kanë pasur në rikthimin tim pas lëndimit”, vazhdon ai.

Nisja jo e mbarë e sezonit ka bërë që skuadrat tjera ta shohin Vëllaznimi një konkurrent të lehtë, mirëpo kjo nuk po ndodh, pasi Vëllaznimi ka mposhtur nga njëherë së paku të gjitha skuadrat.

Triumfi në Mitrovicë ndaj Trepcës ishte një sinjal i qartë se Vëllaznimi është një skuadër kompetitive dhe mund të shkaktojë probleme të mëdha për të gjitha skuadrat.

22-vjeçari tha se trajneri Jeronimo Sarin ka qenë çelësi i gjithë këtyre rezultateve pozitive që kanë arritur deri tash.

“Në fillim te sezonit skuadrën tonë Vëllaznimin na kanë pare si autsajdera pra si një ekip e cila luan për play-out ndoshta. Por me ardhjen e trajnerit Jeronimo Sarin gjërat ndryshuan në ekip dhe tash kemi respekt nga të gjitha ekipet e Superligës se Basketbollit të Kosovës. Synimet tona janë gjithmonë loja e ardhshme qe e kemi pra çdo here mendojmë lojën e radhës qe e kemi nuk kemi mendime për titull sepse është ende herët”, u shpreh Doni.

Vëllaznimi gjatë ditës së sotme luan ndeshjen më të rëndësishme në këtë kompeticion ku takohet me Bashkimin në kuadër të gjysmëfinales së dytë në Kupën e Kosovës.

Në fund të muajit shkurt e gjitha vëmendja do të jetë tek kombëtarja e Kosovës, ku “Dardanët” do t’i luajnë dy ndeshjet e fundit në kuadër të parakualifikimeve për Kampionat Botëror.

Don Polloshka shpreson të jetë pjesë e 12-shes për sfidat ndaj Azerbajxhanit dhe Zvicrës që do të luhet në Prishtinë.

“Shpresoj që po dëshira është e madhe për të përfaqësuar vendin tënd në gara ndërkombëtare por nuk varet krejtësisht prej meje a do te jem i ftuar apo jo nga kombëtarja. Po pa dyshim qe do te ishte nder dhe privilegj që të luash për kombëtaren e Kosovës”, përfundoi basketbollisti i Vëllaznimit.

Ndryshe, Doni më parë ka qenë pjesë e Sigal Prishtinës teksa në sezonin 2022/23 ka kaluar tek skuadra e Vëllaznimit.

Gjithashtu ka qenë pjesë e grupmoshave të reja të Kosovës ku ka lënë mbresa të mëdha tek të gjithë trajnerët e gjeneratave./Arbresh.info/Drilon Halili/

Shpërndaje në rrjete sociale