Real Madridi fiton derbin me Atletico Madridin, vazhdon luftën për titull

22:56 | 22 Mars 2026
D.H

Real Madridi ka marrë një fitore të madhe në La Liga duke e mposhtur Atletico Madridin me rezultat 3-2 në ‘Santiago Bernabeu’.

Madrilenët e nisën ndeshjen mirë duke e dominuar atë, mirëpo një kundërzbritje e skuadrës së Simeones i dënoi ata, shkruan Arbresh.info.

Ademola Lookman i dha epërsinë mysafirëve në minutën e 33-të. Me rezultatin 0-1 u mbyll edhe pjesa e parë.

Ndërkohë, Reali vazhdoi dominimin edhe në pjesën e dytë, ku në minutën e 52-të fitoi një penallti të cilën në gol e konkretizoi Vinicius Junior.

Tre minuta më vonë, Fede Valverde me një gol të bukur i dha epërsinë e parë Realit (2:1), në këtë mbrëmje.

Por ishte Molina i cili me një supergol në minutën e 66-të barazoi shifrat.

Gjashtë minuta më vonë në skenë u shfaq Vinicius Junior edhe një herë ku pas një asistimi të Arnoldit, realizoi gol të bukur për 3-2.

Në minutën e 77-të, gjërat u përkeqësuan për Real Madridin kur Fede Valverde u ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrje të ashpër në Baenan.

Atletico rrezikoi në minutën e tretë të kohës shtesë me Sorlothin por goditja e tij u ndal nga Lunin.

Deri në fund nuk pati raste tjera dhe Reali arkëtoi tre pikë të madhe në luftën për titull me Barcelonën.

Tashmë madrilenët kanë 69 pikë pas 29 ndeshjeve katër më pak se Barca, kurse Atletico ka 57 sosh në vendin e katërt.

Ndeshjen e radhës Reali e luan në udhëtim tek Mallorca kurse Atletico e pret Barcelonën në shtëpi./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale