Rakitic i jep fund karrierës së tij të bujshme si futbollist profesionist

15:22 | 2 Korrik 2025
D.H

Ivan Rakitic i ka dhënë fund karrierës së tij si futbollist profesionist.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë trajneri i Hajduk Splitit, Gonzalo Garcia, në një intervistë për NovaTV, shkruan Arbresh.info.

“Rakitic po e përfundon karrierën e tij Ai është jashtëzakonisht i zgjuar, ka një ndjesi të shkëlqyer për lojën dhe e kupton futbollin. E pranoj, ai është një nga arsyet kryesore pse pranova ofertën e Hajdukut. Megjithatë, kalimi nga këpucët e futbollit në një kostum nuk është kurrë i lehtë”, ka thënë Garcia.

Rakitic ka pasur një karrierë të jashtëzakonshme si futbollist ku ka luajtur për Barcelonën, Sevillën, Hajdukun e Splitit, Baselin, Al-Shababin dhe Nordstern.

Gjatë gjithë karrierës së tij në nivel klubesh ka luajtur 633 ndeshje, ku ka shënuar 95 gola dhe ka dhuruar 101 asistime.

Ai ka përfaqësuar edhe kombëtaren e Kroacisë nga viti 2007 deri në 2019, ku luajti në 106 ndeshje dhe realizoi 15 gola.

Gjatë gjithë karrirës profesionale ka fituar 17 trofe me klube si Barcelona, Schalke dhe Baseli, ndër to edhe një Ligë të Kampionëve në vitin 2015 me “Blaugranat”, dhe dy tituj të Evropa Ligës me Sevillën.

Rakitic ka qenë edhe futbollisti i vitit 2015 në Kroaci.

Lamtumirë emocionuese në Poljud

Një lamtumirë simbolike nga loja aktive u zhvillua më 19 maj, pas ndeshjes kundër Rijekës në Poljud. Pas vërshëllimës së fundit, Rakitic mbeti i vetëm në stol – me sytë e fiksuar në fushë dhe me lot në sy.

Ai luajti gjithsej 39 ndeshje për Hajdukun, duke shënuar dy gola dhe duke dhënë pesë asistime. Edhe pse dështoi t’i sillte Poljudit titullin e kampionit të ëndërruar prej kohësh, Rakitic la një gjurmë të fortë – si një lider, mentor për lojtarët e rinj dhe mishërimi i profesionalizmit.

Rakitic nuk po i thotë lamtumirë futbollit – ai thjesht po ndryshon rolin e tij. Ai do të mbetet në departamentin sportiv të Hajdukut, ku do të punojë si asistent i anëtarit të sapoemëruar të bordit sportiv, Goran Vucevic. Përvoja, autoriteti dhe kontaktet e tij globale do të jenë një aset i madh për të ardhmen e klubit nga Poljud.

Shpërndaje në rrjete sociale