PSG eliminon Arsenal dhe ndeshet në finale me Inter

23:02 | 7 Maj 2025
E.G

Paris Saint-Germain është finalisti i dytë i Champions League.

Kjo pasi ka mposhtur skuadren e Arsenal me rezultat 2-1 në ndeshjen kthyese të zhvilluar në “Parc des Princes”. Me fitoren 1:0 në Londër dhe rezultatin e përgjithshëm 3:1, francezët kanë siguruar duelin për titull ndaj Inter në finalen që do të zhvillohet në Munich.

Arsenali e ka nisur ndeshjen më mirë duke krijuar tri raste shënimi në minutat e para, por nuk ka arritur t’i konkretizojë asnjë prej tyre. Dhe ndëshkimi ka ardhurnë minutën e 27-të, kur Fabian Ruiz ka realizuar një gol të bukur për PSG-në, duke kaluar vendasit në epërsi.

Në pjesën e dytë, Vitinha ka humbur një penallti për PSG-në në minutën e 69-të, një moment që mund ta kishte vulosur takimin. Penalltia është dhënë pas rishikimit të VAR-it për lojë me dorë, por portieri David Raya e ka pritur gjuajtjen, duke mbajtur Arsenal në lojë.

Vetëm pak çaste më vonë, në minutën e 72-të, Achraf Hakimi e ka dyfishuar epërsinë për PSG-në pas asistimit të Ousmane Dembele. “Topçinjtë” janë përpjekur të reagojnë dhe ia kanë arritur ta ngushtojnë rezultatin në minutën e 76-të me një gol nga Bukayo Saka.

Një moment i artë për barazim është paraqitur dhjetë minuta para fundit, kur Saka ka pasur portën bosh përpara, por nuk ka treguar vëmendjen e duhur për ta çuar topin në rrjetë.

Në minutat e fundit, loja është tensionuar dhe ka pasur disa kartona të verdhë për sjellje të pahijshme – për Calafiori, Saka dhe Kvaratskhelian. Pavarësisht përpjekjeve të Arsenal, rezultati nuk ka ndryshuar./RTK

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme

Foto lajm