Presidenti i Dritës, Flamur Bunjaku: Është një moment historik jo vetëm për klubin tonë, por për gjithë futbollin kosovar

09:10 | 16 Korrik 2025
D.H

Drita mbrëmë arriti një sukses historik në futbollin kosovar, duke kaluar rrethin e parë të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve.

Këtë gjë më parë nuk e ka bërë asnjë skuadër kosovare, shkruan Arbresh.info.

Gjilanasit fituan me rezultat të përgjithshëm 4-2 ndaj Differdange 03. Fillimisht ndeshja e parë e luajtur në Prishtinë u mbyll 1-0. Kurse mbrëmë, skuadra e Zekirija Ramadanit, triumfoi 2-3.

Ky sukses i gëzoi edhe drejtuesit e klubit gjilanas. Presidenti i Dritës, Flamur Bunjaku pas triumfit reagoi përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

Ai ka uruar lojtarët, stafin si dhe ka falënderuar të gjithë tifozët që po e mbështesin këtë skuadër.

“Fitore në Prishtinë dhe fitore në Luksemburg, kjo është Drita që të gjithë e duam, skuadra që dominon kudo që luan”.

“Urime futbollistëve tanë për dy ndeshje të shkëlqyera ndaj Differdange dhe për dy fitore plotësisht të merituara”.

“Urime stafit teknik për punën e mrekullueshme dhe përgatitjen e jashtëzakonshme”.

“Një falënderim i veçantë edhe për tifozët tanë të jashtëzakonshëm, Intelektualët, të cilët nuk e lanë skuadrën vetëm as në Luksemburg dhe që ishin pjesë kyçe e këtij suksesi”, ka shkruar ndër të tjera.

Më tej Bunjaku ka shtuar se Drita është krenaria e gjithë Kosovës.

“Drita është klub për të shkruar histori, dhe ky kualifikim për në raundin e dytë të Ligës së Kampionëve është një moment historik jo vetëm për klubin tonë, por për gjithë futbollin kosovar. Asnjë skuadër nga Kosova nuk kishte arritur këtë më parë, dhe ne e arritëm”.

“Jam shumë i lumtur dhe krenar për futbollistët, për stafin dhe për të gjithë ata që janë pjesë e familjes së madhe Drita. Ky është vetëm fillimi i një rrugëtimi të gjatë që na pret përpara”.

“Drita është krenaria e qytetit dhe e gjithë Kosovës. Tani na presin sfida edhe më të mëdha dhe më të bukura në Evropë”, ka shkruar Bunjaku në postimin e tij në Facebook.

Drita në rrethin e dytë të Ligës së Kampionëve do të përballet me gjigantin danez, Copenhagen. Ndeshja e parë luhet me 22 korrik në Danimarkë, kurse pas një jave, zhvillohet sfida e kthimit në “Fadil Vokrri”./Arbresh.info