Përfaqësuesja e Kosovës në Futboll mblidhet për të “njohur” më mirë vetën

15:19 | 31 Gusht 2015
M. A.

Përfaqësuesja e Kosovës në Futboll, në mungesë të zhvillimit të ndeshjes miqësore me përfaqësuesen e Burkina Fasos, ka filluar tubimin me lojtarët e ftuar për të qenë pjesë e kësaj miqësoreje që tashmë nuk do të zhvillohet.

Përzgjedhësi i Përfaqësueses “A” Albert Bunjaku vlerëson se përkundër që kjo ndeshje nuk do të zhvillohet, mbledhja e 24 lojtarëve të përfshirë në përfaqësuese do të jetë një mundësi e mirë për të parë nga afër gjendjen fizike dhe lojën që bëjnë futbollistët.

Ky tubim sipas Bunjakut do t’i ndihmojë përfaqësueses së parë për organizimin e saj të brendshëm.

“Ashtu siç jeni të informuar d.m.th sot me datën 31 fillon tubimi i përfaqësueses së Kosovës, kjo ka qenë një dëshirë dhe kërkesë e jona, e shtabit teknik por edhe lojtarëve, duke pas parasysh edhe rrethanat që u bënë me Burkina Fason edhe pse loja ka qenë e planifikuar, me marrëveshje krejt mendoj se sjellja e atyre ka qenë jo korrekte ndaj neve kështu që ne kem ba vendim që të luajmë, ta bëjmë një tubim dhe ta shfrytëzojmë këtë tubim për çështje të zhvillimit të brendshëm”, tha Bunjaku.

Sipas përzgjedhësit të përfaqësueses së Kosovës në Futboll, ky tubim po ashtu do të jetë një mundësi e mirë dhe e para për tu përqendruar te kapacitet e lojtarëve, dhe te pjesët që ata si përfaqësuese dhe si federatë e futbollit I konsiderojnë si më të rëndësishme.

Në anën tjetër ish- sulmuesi i përfaqësueses së Suedisë Ertan Fejzullahu deklaroi se më me qejf do të luante miqësoren me Burkina Fason, mirëpo prapë se prapë Fejzullahu mbetet i kënaqur vetëm me mundësinë për të njohur nga afër bashkëlojtarët e tij, por edhe për të përjetuar atmosferën që bëjnë tifozët kosovar.
“Kemi ushtrime më shumë, e njohim më mirë, edhe ashtu bëhet mirë po më përpara kish pas qejf me lujtë lojë… Nuk kam mund me shiqua qaq shumë, prandaj kisha pas qejf me lujtë lojë se kanë thanë që atmosfera ka qenë shumë e mirë këtu”, tha Fejzullahu.

Arsye pse vetëm tani Fejzullahu i është bashkuar përfaqësueses së Kosovës ishte mungesa nga ana e Suedisë për të luajtur për të, si dhe ftesat që nga 2006 janë bërë drejt tij nga ana e përzgjedhësit Bunjaku.

Ndërkohë Bunjaku njoftoi se në mesin e aktiviteteve që do të zhvillohen Brenda këtyre ditëve do të jetë edhe një ndeshje interne në mes të 24 futbollistëve, ndeshje kjo e cila sipas tij do të jetë e mirëseardhur për të kuptuar gjendjen dhe konkurrencën brenda vetë lojtarëve të përfaqësueses së Kosovës në futboll.

Shpërndaje në rrjete sociale