Një dekadë së bashku: Kurtishi beson fuqishëm në triumfin e Shalës

17:53 | 9 Janar 2026
D.H

Punojnë së bashku që gati një dekadë dhe e njohin njëri tjetrin në detaje.

Ëndrra që të ngjiten në podiumin e kampionëve të mdhenj të boksit profesionist, është në rrugë të mbarë për tu realizuar.

Bëhet fjalë për boksierin Granit Shala dhe trajnerin Agron Kurtishi.

Të shtunën në mbrëmje, në “Rudolf Weber Arena” të Oberhausenit të Gjermanisë, boksieri Granit Shala, do ta mbrojë titullin “IBF International”.

Përballet me kroatin Petar Milas në kategorinë e rëndë.

Trajneri dhe menaxheri i Shalës, Agron Kurtishi beson fuqishëm në fitore.

“Kurrë më në formë nuk ka qenë, kurrë përgatitje më të mira nuk ka bërë. Nëse arrin të aplikojë atë që kemi punuar, besoj fuqishëm që do të ia dal ta mbroj titullin. E dimë që nuk do të jetë lehtë, pasi edhe kundërshtari është i nivelit të lartë, por kam besim teë madh te Graniti”, tha Kurtishi.

Ai theksoi se Shala i ka të gjitha që duhet ti ketë një boksier.

“Granitin e njoh që nëntë vjet. I ka të gjitha elementet që të fitojë të shtunën dhe të arrijë shumë suksese në boksin profesionist. Nuk i mungon asgjë. Graniti ka 76 fitore në boksin amator dhe 18 në boksin profesionist, atë që nuk e ka kundërshtari”, u shpreh trajneri i njohur i boksit në Gjermani, i cili ka nxjerrë shumë boksierë kampion deri më tani.

Kurtishi tregon se pse ka rendësi të madhe fitorja e Granitit të shtunën.

“Fitorja të shtunën do të hapte rrugën që Graniti të përballet me boksirë të nivelit më të lartë dhe në këtë formë do të kërkonte sukseset që i ëndërrojmë së bashku. Nëse ia dalim të shtunën, në verën e këtij viti Graniti mund të boksojë para 50 mijë shikuesve”, theksoi ai.

Kurtishi dhe Shala me krenari bartin simbolet kombëtare në çdo event.

“Jemi nga një vend i vogël, por kemi zemër të madhe. Duhet t’iu tregojmë të gjithëve se edhe ne dimë të punojmë dhe të kemi suksese”, përfundoi Kurtishi.

Granit Shala ka 18 fitore në boksin profesionist dhe vetëm një humbje./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale