Muriqi: Jam i bindur se Mallorca do të qëndrojë në La Liga

17:14 | 31 Janar 2026
R J

Sulmuesi kosovar i Mallorcës, Vedat Muriqi, dje e ka fituar çmimin lojtari i muajit në La Liga, duke konfirmuar formën e shkëlqyer që po kalon këtë sezon.

Ylli i Kombëtares së Kosovës, ka realizuar deri tani 14 gola me fanellën e ekipit ishullor, duke u shndërruar në një nga protagonistët kryesorë të kampionatit spanjoll.

Pavarësisht se po konsiderohet si një nga rivalët e Kylian Mbappe për Këpucën e Artë, Muriqi ka treguar modestinë e tij, duke theksuar se do ta konsideronte sukses personal nëse sezoni do të mbyllej me vendin e dytë në listën e golashënuesve.

Në një intervistë për televizionin spanjoll “IB3”, Muriqi ka folur edhe për situatën e Mallorcës, duke u bërë thirrje drejtuesve të klubit që të veprojnë në afatin kalimtar të dimrit. Sipas tij, skuadra ka nevojë për përforcime me përvojë për të përballuar më mirë presionin e mbijetesës.

“Jam i bindur se Mallorca do të qëndrojë në La Liga. Nuk është momenti për t’u dorëzuar. Duhet të jemi të gjithë bashkë – lojtarë, tifozë dhe drejtues – sepse vetëm kështu mund ta kalojmë këtë periudhë të vështirë”, është shprehur Muriqi.

Ai ka theksuar se përforcimet duhej të kishin ardhur më herët, duke nënvizuar nevojën për futbollistë që kanë përjetuar situata të ngjashme në karrierën e tyre.

Sa i përket garës për golashënuesin më të mirë, Muriqi është shprehur realist: “Është e pamundur të konkurrosh me një lojtar si Mbappe. Ai është i një niveli tjetër. Nëse e mbyll sezonin i dyti në La Liga, do ta festoj sikur të isha i pari.”

Vedat Muriqi feston sot edhe një përvjetor të veçantë, pasi më 31 janar të vitit 2021 u transferua te Mallorca, klub me të cilin po shkruan momentet më të mira të karrierës së tij.

Shpërndaje në rrjete sociale