Mungesë transparence tek analizimi i rasteve nga FFK-ja, pritet videoja kur analisti e pranon se gaboi Mervan Bejtullahu

22:23 | 22 Mars 2026
D.H

Një tjetër ndeshje e mbushur me polemika ka tronditur Superligën e Kosovës, ku në qendër të kritikave është vënë gjyqtari me stemë të FIFA-s, Mervan Bejtullahu.

Skuadra e Prishtinës së Re ka shpërthyer me reagime pas ndeshjes ndaj Dukagjinit e cila u mbyll 1:1, duke publikuar një video me të gjitha rastet diskutabile, për të cilat pretendojnë se janë dëmtuar rëndë nga vendimet e arbitrimit, shkruan Arbresh.info.

Sipas klubit, momenti më i diskutueshëm lidhet me një prekje të qëllimshme me dorë nga lojtari Pllana brenda zonës.

Analisti i referimit në FFK ka vlerësuar se rasti ishte i qartë për penallti, ndërsa ka shtuar se “masa teknike” kërkonte edhe ndëshkim me karton të kuq.

Kjo pjesë e analizës është prerë nga videoja e publikuar më pas, duke ngritur dyshime të mëdha për transparencën në trajtimin e rasteve.

Pavarësisht këtij vlerësimi, gjyqtari Bejtullahu nuk akordoi as penallti dhe as karton të kuq për lojtarin e Dukagjinit, vendim që ka nxitur reagime të forta në opinionin sportiv.

Nga ana tjetër, Prishtina e Re thekson se kjo nuk është hera e parë që ndjehet e dëmtuar nga arbitrimi këtë sezon. Sipas tyre, vendime të tilla po përsëriten dhe po ndikojnë drejtpërdrejt në rezultatet dhe ecurinë e skuadrës në elitën e futbollit kosovar.

Klubi ka ngritur shqetësimin se, nëse situata të tilla vazhdojnë, Superliga rrezikon të humbasë një nga klubet më të organizuara, në një kohë kur futbolli kosovar po përballet me probleme të shumta strukturore dhe financiare./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale