Real Madridi ka vënë syrin te një tjetër talent gjerman: Angelo Stiller. Mesfushori i Stuttgartit po përmendet gjithnjë e më shpesh në qarqet madrilene si pasardhësi i Toni Kroos – dhe jo rastësisht.
Në festimet e fitores së Kupës së Gjermanisë, bashkëlojtari i tij te Stuttgart, Deniz Undav, bëri një batutë që ndezi spekulimet: “Ne do të qëndrojmë këtu, për të nuk e di… Hala, Madrid!”.
Stiller po përflitet për një kalim të mundshëm në Real Madridi, dhe disa burime në Gjermani madje sugjerojnë se vetë Toni Kroos ka dhënë një rekomandim pozitiv për transferimin e tij. Kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht, por ajo që është e sigurt – është admirimi i madh që Antonio Rüdiger ka për të.
“Jam tifoz i madh i tij. Luajtëm kundër njëri-tjetrit në Ligën e Kampionëve dhe më la përshtypje qetësia e tij me topin. Nuk panikoi kurrë. Ka një të ardhme të shkëlqyer përpara nëse i shmanget lëndimeve” ka thënë mbrojtësi i Real Madridit dhe Gjermanisë.
“Kroos i shëmtuar”? Nuk ka zëvendës për legjendën
Krahasimet me Kroosin janë bërë të zakonshme në mediat gjermane dhe rrjetet sociale, ku ai është etiketuar me nofkën “Kroos i shëmtuar” – një përshkrim që vetë Stiller e merr me sportivitet, por edhe me rezervë.
“Askush nuk mund ta zëvendësojë Toni Kroos. Për mua, ai është lojtari më i madh gjerman i të gjitha kohërave. Nëse trajneri i kombëtares më sheh si pasardhës të tij, do të isha i nderuar. Është e vërtetë që kemi stil të ngjashëm loje”, u shpreh ai për Bild.
Stiller ishte edhe në radarët e Barcelonës gjatë dimrit, por ai zgjodhi të përqendrohet te Stuttgart.
Nga Bayern Munich te Stuttgart: një rritje graduale
Hansi Flick e hodhi për herë të parë në fushë për Bayern Munich në vitin 2020, në moshën 19-vjeçare, si në Kupën e Gjermanisë ashtu edhe në Ligën e Kampionëve.
“I jam mirënjohës atij deri më sot. Më dha debutimin tim profesional. Nuk jam zemëruar asnjëherë me Bayernin – përkundrazi, e dua shumë atë klub”, ka thënë ai.
Pas kalimit në Stuttgart në vitin 2023 për 5.5 milionë euro, Stiller u ribashkua me trajnerin Sebastian Hoeness – nipi i legjendës Uli Hoens dhe ish-trajneri i tij te Hoffenheim.
Që atëherë, Stiller është shndërruar në një nga mesfushorët më të rëndësishëm në Bundesliga.
Statistikat flasin vetë
Sezoni i tij 2024/25 ka qenë mbresëlënës: 47 ndeshje, 4 gola dhe 11 asistime. Në finalen e Kupës së Gjermanisë kundër Arminia Bielefeld, ai asistoi dy herë në fitoren 4-2, duke e mbyllur me stil një edicion të jashtëzakonshëm.
Por janë statistikat që e bëjnë të dallohet:
I treti në Bundesliga për pasime progresive (289).
I treti për pasime të filtruar në të tretën e fundit të fushës (271).
I dhjeti për topa të dërguar brenda zonës (50).
I katërti më i mirë në driblime të suksesshme (66.7%).
I treti për më shumë kontakte me topin në tërë Bundesligën (2,781).
Ai gjithashtu është goditës i rregullt i këndeve për Stuttgartin dhe ka treguar një kontroll të jashtëzakonshëm në lojën me një prekje.
“Qetësi me topin”, inteligjencë në fushë
Stiller nuk është lojtari më fizik, por pozicionimi i tij dhe leximi i lojës e bëjnë të domosdoshëm në mesfushë.
“Angelo sjell shumë qetësi dhe kontroll. Ka inteligjencë në mbrojtje dhe agresivitet në rikuperim”, ka thënë Julian Nagelsmann për të.
Angelo Stiller është duke u rritur në hije të emrave të mëdhenj si Kroos, por me statistika mbresëlënëse dhe qëndrueshmëri në lojë, ai po shndërrohet në një “magnet” për klubet elitare – dhe Real Madridi mund të jetë stacioni i radhës për këtë dirigjent të ri gjerman. /Telegrafi/
Zyrtare: Tuchel rinovon kontratën me kombëtaren e Anglisë
Qeveria “Kurti 3” miraton marrëveshjen 90 milionë euro me Ba...
Shkëlzen Jetishi, Sabri Fejzullahu, Arif Vladi dhe shumë ar...
Zvicra do të hedhë në votim propozimin për të kufizuar popul...
Dixon: Gjykata duhet të ketë kujdes nga dëshmitë që ua dha S...
Qeveria procedon në Kuvend projektligjin për buxhetin e viti...