E ardhmja e Robert Lewandowskit mbetet e hapur, edhe pse sulmuesi polak 37-vjeçar kërkon ende kohë për të marrë një vendim përfundimtar. Oferta për të vazhduar karrierën nuk i mungojnë: tashmë ka dalë në pah interesimi i Chicago Fire nga MLS, ndërsa agjentët e tij kanë zhvilluar gjithashtu takime me përfaqësues të Ligës së Arabisë Saudite.
Megjithatë, as te Barcelona nuk e konsiderojnë të mbyllur bashkëpunimin me golashënuesin pas përfundimit të sezonit.
Lewandowski ka folur së fundmi në një emision në YouTube në Poloni, ku ka theksuar se vendimi i tij nuk lidhet me aspektin financiar. Në këtë drejtim, Barça nuk mund të konkurrojë me ofertat që mund t’i vijnë nga kampionate të tjera.
Sulmuesi ka bërë të ditur se çdo vendim do ta shtyjë deri pas një bisede me trajnerin Hansi Flick. Me teknikun gjerman, Lewandowski ka një marrëdhënie shumë të mirë, jo vetëm profesionale, por edhe personale, dhe pikërisht planet e Flick do të jenë vendimtare për të ardhmen e tij.
Në deklaratat për gazetarin Bogdan Rymanowski në YouTube i njëjti që ka shkruar biografinë e tij, Lewandowski u shpreh kështu për planet e sezonit të ardhshëm.
“Kam kohë për të marrë një vendim. Për momentin nuk e di se ku dua të luaj. Nuk e di çfarë rruge të ndjek, por nuk kam asnjë presion. Nuk ka nevojë të mendoj tani. Shumëçka varet nga planet e klubit dhe nga ajo që dua unë. Nuk bëhet fjalë për ulje të pagës në gjysmë.”
Ai shtoi gjithashtu se deri tani nuk ka folur me trajnerin për ofertat apo klubet e interesuara. Vendimi i tij do të varet kryesisht nga roli që Flick e sheh për të në të ardhmen, duke pasur parasysh se kontrata e Lewandowskit me Barcelonën përfundon më 30 qershor.
I pyetur për një episod të përmendur edhe në biografinë e tij, ku pretendohet se Barça i kishte kërkuar të mos shënonte më gola për të shmangur pagesën e një bonusi ndaj Bayern Munichut, Lewandowski dha një shpjegim tipik për një lojtar me përvojë dhe të përkushtuar ndaj klubit.
“Ishte një bonus. Në atë moment klubi shikonte çdo euro dhe nuk ishte një çështje e vogël. Kam shumë respekt për klubin dhe njerëzit që punojnë aty dhe ka gjëra për të cilat nuk më pëlqen të flas. Ishte një situatë që e kuptoja dhe bonusi nuk ishte i vogël. E pyeta veten nëse duhej të shënoja apo jo”, deklaroi ai.
Lewa iu bashkua Barcelonës në vitin 2022./Arbresh.info