Ditët e fundit është shkruar e folur shumë për një ngërç në shpërblimin e premtuar të lojtarëve kuqezinj për suksesin historik që arritën, shkuarjen në finalet e “Euro 2016”.
Qoftë për shumat, qoftë për mënyrën e shpërndarjes së tyre, ka pasur versione të ndryshme. “Telesport.al” kontaktoi një nga anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së dhe e pyeti në lidhje me këtë situatë, se si qëndron e vërteta.
Ai konfirmoi se në mbledhjen e fundit të këtij organi vendimmarrës të FSHF-së është vendosur dhe miratuar premioja prej 2.5 milionë eurosh, që do të shkojë për krejt kombëtaren. Natyrisht, sipas tij, këtu përjashtohet trajneri Gianni De Biasi, i cili e ka marrë tashmë shpërblimin e vet, të parashikuar në kontratën që ka me federatën. 350 mijë euro është shuma, që trajneri kuqezi ka përfituar nga kualifikimi me Shqipërinë në finalet e “Euro 2016”, ndërkohë që mësohet se rreth 300 mijë euro të tjera i përfiton në formë rroge.
De Biasi ka qenë i pari që e ka marrë premion, që pas ndeshjes me Austrinë, ndërsa shpërblimi i lojtarëve do të ndahet vetë mes tyre, natyrisht sipas një skeme që do të vendosë kapiteni Lorik Cana me bashkëlojtarët e tjerë. Në këtë pikë ka mbetur kjo çështje, e cila pritet të zgjidhet brenda muajit dhjetor. Pra, pasi grupi kuqezi të bjerë dakord për mënyrën dhe shumën që do të marrin lojtarët, secili emër për emër, FSHF-ja do të kalojë menjëherë paratë në llogaritë e tyre bankare.
Shuma prej 2.5 milionë eurosh është miratuar në Komitetin Ekzekutiv dhe tashmë ajo është në dispozicion të “heronjve” kuqezinj, që e dërguan Shqipërinë në “Euro 2016”, për herë të parë në historinë e futbollit tonë. Ndërkohë, disa lojtarë të kombëtares, të kontaktuar për këtë problem, kanë konfirmuar se premiot e kualifikimit do të jepen në muajin dhjetor. Do të vendoset mes tyre si do të shpërndahet shuma e miratuar nga FSHF-ja, pastaj secili do të përfitojë përafërsisht nga 80 mijë euro. Dikush më pak e dikush më shumë, në varësi të produktit dhe aktivizimit në ndeshjet kualifikuese të Grupit I të “Euro 2016”.
Ndërkohë, i njëjti burim i “Telesport.al” konfirmoi kërkesën e De Biasit për kontratën e re, ku ka kërkuar 2 milionë euro deri në fund të fushatës kualifikuese të “Botërorit 2018”. Kjo shumë i është prezantuar presidentit Duka në formë kërkese, për të cilën është vënë në dijeni edhe Ekzekutivi i FSHF-së, por nuk ka gjasa të plotësohet. Shuma është e madhe për mundësitë e futbollit tonë, çka i është bërë e ditur edhe trajnerit, i cili mbetet të bëjë zgjedhjen e vet. Natyrisht, pas kualifikimit në “Euro 2016”, De Biasit do t’i rritet rroga që përfiton, por shifra të tilla as që çohen nëpër mend nga drejtuesit e FSHF-së.
Ukrainës po i mbarojnë armët/ Zelensky: Nuk kemi raketa për ...
Rama: Arsimi profesional do të ketë standarde të reja, konvi...
Osmani: Skënderbeu, shpata e lirisë dhe simbol i përjetshëm ...
MPB nis fushatë informuese në pikat kufitare dhe në Aeroport...
Të hënën nis gjysmëvjetori i dytë në Fushë Kosovë
Fond 20 milionë euro në mbështetje të zhvillimit rural, Rama...