Kupa në Prishtinë, pritje madhështore për kampionët

21:44 | 30 Prill 2015
M. A.

Kampionët e Ballkanit, janë pritur në mënyrë madhështore të enjten mbrëma në kryeqytet.

Në Sheshin “Zahir Pajaziti”, qytetarë, tifozë e sportdashës të shumtë, kanë pritur Sigal Prishtinën.

Klubi më i suksesshëm në vendin tonë, mbrëmë ka shkruar historinë e re, duke fituar titullin e kampionit të Ligës Ballkanike, madje, këtë trofe që është i pari në arenën ndërkombëtare, kryeqytetasit e fituan midis Bullgarisë duke mposhtur Rilskin, me rezultat 71-80, në ndeshjen e dytë finale të kësaj ligë elitare në Ballkan.

Atmosfera tek Sheshi “Zahir Pajaziti” shpërtheu në momentin kur basketbollistët dhe drejtuesit e klubit, u nisen drejt binës tek Sheshi më kupën më të rëndësishme në historinë e këtij klubi të famshëm.

Presidenti i Sigal Prishtinës, njeriu që ka dhënë kontribut të madh në këtë sukses, Blerand Stavileci, me pak fjalë falënderoi gjithë ata që e kanë ndihmuar skuadrën prishtinase për të ardhur deri tek sukses. I pari i klubit, veçmas falënderoi tifozët prishtinas “Plisat”, që sipas tij, është pjesa më e bukur e këtij suksesi.

“Faleminderit të gjithëve me shkronja të arta, faleminderit ‘Plisa’, faleminderit Prishtinë, Kosovë. Pjesa më e bukur e sportit janë tifozët, pjesa më e bukur janë ‘Plisat’”, theksoi Stvileci.

Ndërkohë, i entuziazmuar me suksesin e klubit prishtinas, është shprehur edhe kapiteni i kësaj skuadre, Edmnd Azemi.

Kapiteni legjendar, njeriu që ka fituar gjithçka me skuadrën “bardhekaltër”, tha se ndjehet jashtëzakonisht i emocionuar me trofeun e Ligës Ballkanike. Ai theksoi se ka qenë ëndërr e tij që me Sigal Prishtinën të fitojë trofe ndërkombëtare.

“Normal se jam shumë i emocionuar. Ka qenë dëshira ime që me Sigal Prishtinën të fitojë një kupë ndërkombëtare. Ky vit ka qenë shumë i suksesshëm për ne. Vitin e kaluar s’mundem të fitojmë final-four-in, por kësaj herë e kemi merituar titullin, por kjo nuk do të jetë kupa e fundit dhe besoj se do të fitojmë edhe shumë më shumë kupa”, tha Azemi.

Tejet i lumtur me suksesin e Sigal Prishtinës, është shprehur edhe basketbollisti më i mirë i kësaj skuadre, Dardan Berisha, madje, basketbollisti pejanë është zgjedhur edhe lojtari më i këtij sezoni në Ligën Ballkanike. Berisha tha se nga fillimi i këtij sezoni ka besuar se Sigal Prishtina do ta fitoj titullin e kampionit, por ai th se ka qenë rrugë vështirë deri tek ky trofe. Berisha thotë se ky është një sukses historik.

“Kemi besuar nga fillimi, por e kemi ditë se ka me qenë shumë vështirë. Vetëm ne e dimë se ka qenë e mundimshme ky sezon, por me në fund arritëm një sukses historik për gjithë popullin shqiptar dhe ia ka vlejtur gjithë ai mund nga fillimi, dhe tani është koha e basketbollit, koha e festës”, pohoi ylli pejanë.

Festa në kryeqytet ishte e paparë dhe ishin pikërisht “Plisat” ata që u përkujdesën për atmosferën e zjarrtë tek Sheshi “Zahir Pajaziti”./arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale