Kukeli rikthen kujtimet nga “nata e ferrit” në Beograd: Pasi na kanë rrahur, dëshironin sërish të futemi në fushë

09:42 | 5 Qershor 2025
D.H

Shqipëria është nikoqire e Serbisë të shtunën mbrëma në “Arenën Kombëtare”, me fillim nga ora 20:45.

Para kësaj ndeshje këto dy kombëtare janë përballur edhe dy herë tjera në kuadër të kualifikimeve për Euro 2016, shkruan Arbresh.info.

Të gjitha kujtimet e shqiptarëve nga këto dy sfida, janë nga ndeshja e parë me 14 tetor të vitit 2014 në Beograd, ku i gjithë shteti serb u shokua nga një dron, me dy figurat historike shqiptare, Isa Boletinin dhe Ismajl Qemajlin. Dronin gjithashtu e përcolli fjala “Autochthonous”.

Që nga momenti i futjes së dronit, ndeshja u ndërpre, dhe Shqipëria fitoi ndeshjen në tavolinë pas një vendimi të CAS-it.

Më së mirë atë natë e përshkruan vetë pjesëmarrësi i asaj ndeshje, Burim Kukeli.

Ish-mesfushori i kombëtares shqiptare, në një intervistë për “Koha”, ka përkujtuar atë që ndodhi në stadiumin e Partizanit të Beogradit.

“Para lojës ka qenë në rregull e po ashtu edhe pas. Por, gjatë lojës ka qenë një energji e keqe. E kemi ndier atë urrejtjen që kanë ndaj nesh. Ishim vetëm ne lojtarët dhe njerëzit e federatës. Nuk ishte ndjenjë e mirë të kishe gjithë stadiumin kundër. Ne jemi munduar ta tregojmë më të mirën tonë. Në fund triumfoi e drejta dhe fituam ndeshjen në tavolinë”, tha ai.

Mesfushori nga Gjakova vazhdoi duke treguar se pas gjithë asaj dhune atyre iu është kërkuar të rikthehen në fushë.

“E kemi ditur se nuk do të priteshim mirë, por nuk e kemi menduar atë urrejtje aq të madhe. Njerëzit janë të çuditshëm. Nuk mund të mendosh si janë ashtu. Pamjet kanë treguar gjithçka dhe loja në ato kushte nuk ka mundur të vazhdojë. Jemi ofenduar e jemi rrahur. Dhe pasi na kanë rrahur, dëshironin sërish të futemi në fushë. Ka qenë i pamundur vazhdimi i ndeshjes”, thotë Kukeli.

Ai foli edhe për ndeshjen e së shtunës, ku pati një mesazh për tifozët.

“Tifozët të mos sjellin urrejtje. Të përkrahin lojtarët e Shqipërisë. Duhet të japim energji pozitive, jo urrejtje”, thotë ish-mesfushori shqiptar.

Për fund ai ka treguar paksa për karrierën e tij si dhe tregon ambiciet për të ardhmen.

“Për momentin jam duke lëvizur hap pas hapi. Niveli U-21 është shumë i mirë këtu në Zvicër. Dua të marr mësime dhe të shpalos idetë e mia. Por, dëshira është që një ditë të punoj edhe në Superligën e Zvicrës. Pastaj Kosova dhe Shqipëria nuk diskutohet. Është ëndërr për mua të jem trajner i Shqipërisë ose Kosovës”, u shpreh ai.

Burim Kukeli për Kombëtaren e Shqipërisë ka luajtur 27 ndeshje./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale