Kimmich: Real Madrid dhe Bayern Munich janë klubet më të mëdha në botë

21:08 | 6 Prill 2026
D.H

Mesfushori i Bayern Munich, Joshua Kimmich, ka folur me shumë respekt për Real Madrid para përballjes në “Santiago Bernabéu”, duke pranuar se ky stadium ka një “mistikë” të veçantë.

“Në Bernabéu kemi bërë ndeshje shumë të mira dhe jemi larguar pa asgjë. Këtu duket sikur vlejnë ligje të tjera”, deklaroi Kimmich.

Ai e cilësoi përballjen mes dy gjigantëve si një duel të nivelit më të lartë.

“Real Madrid dhe Bayern Munich janë klubet më të mëdha në botë. Për ne, këto janë ndeshjet më të mëdha që mund të luash si futbollist”.

Kimmich theksoi se për të mposhtur madrilenët duhet kombinim perfekt mes taktikës dhe mentalitetit.

“Duhet të jesh në nivel maksimal në të dyja aspektet për të fituar ndaj Real Madridit. Ata mund të të dëmtojnë në shumë mënyra, prandaj duhet të përshtatesh, por pa harruar lojën tënde”.

Duke kujtuar përballjet e kaluara në UEFA Champions League, ai pranoi se Bayerni shpesh është ndëshkuar nga detajet.

“Na ka ndodhur të dominojmë dhe ata të shënojnë në dy raste. Kjo është forca e Real Madridit”.

Sa i përket gjendjes së Harry Kane, i cili është në dyshim për shkak të lëndimit, Kimmich kishte vetëm fjalë të mëdha.

“Është një lider i vërtetë, një lojtar që mendon për ekipin dhe jo vetëm për golat. Na jep shumë, jo vetëm në shifra”.

Ndërkohë, për Vinícius Júnior, me të cilin ka pasur një përplasje në të kaluarën, ai minimizoi çdo tension: “Nuk do të jetë një duel një kundër një, por një ndeshje mes dy ekipeve”.

Në fund, gjermani theksoi se Bayerni duhet të luajë si një grup i bashkuar për të përballuar cilësinë e kundërshtarit.

“Respektojmë shumë Real Madridin, por kemi besim në lojën tonë”.

Ndeshja zhvillohet të martën në “Santiago Bernabéu” dhe nis nga ora 21:00./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale