Juventusi i kthehet fitoreve bindëse

22:42 | 21 Tetor 2022
Emir Abduramani

Juventus ka fituar në shtëpi me rezultat bindës ndaj Empolit, 4-0.

Ndonëse Empoli e mbajti më shumë topin gjatë tërë lojës, “Zonja e Vjetër” ishte shumë më e rrezikshme në sulmet e saj.

Serinë e golave e hapi sulmuesi Moise Kean në minutën e 8-të, i cili shënoi me të djathtën pas asistimit të Kostic.

Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë.

Në të dytën, Juve vazhdoi sulmet dhe në minutën e 56-të, mesfushori amerikan, Weston McKennie, shënoi me kokë pas krosimit nga korneri të Cuadrados.

Krosimet e sakta të Cuadrados prej goditjeve nga këndi vazhduan dhe në minutën e 82-të, francezi Adrien Rabiot e coi topin në rrjetë me kokë për 3-0.

Kur u mendua se gjithçka mbaroi, Rabiot doli në skenë sërish në minutat shtesë dhe vendosi epilogun përfundimtar të kësaj ndeshje, 4-0.

Me këtë rezultat, Juventus ngjitet në vendin e 7-të, me 19 pikë, ndërsa Empoli mbetet në pozitën e 11-të, me 11 pikë të fituara.

Shpërndaje në rrjete sociale