Jo vetëm Fati, edhe një tjetër yll i Barcelonës pritet të transferohet tek Monaco

23:45 | 27 Qershor 2025
R J

Marc-Andre Ter Stegen mund të jetë emri i radhës i madh që i bashkohet Monacos këtë verë, pas Ansu Fati dhe Paul Pogba, mes pasigurive rreth të ardhmes së tij te Barcelona.

Sipas raporteve, Ter Stegen është në bisedime me Monacon për një transferim të mundshëm gjatë kësaj vere.

Si L’Equipe, ashtu edhe Mundo Deportivo, raportojnë se klubi nga Ligue 1 ka vendosur kontakte me portierin e Barcelonës, i cili mund të largohet nga ‘Camp Nou’ pas gati një dekade në radhët e kampionëve të La Ligës.

Barcelona ka siguruar tashmë zëvendësuesin e Ter Stegen, duke nënshkruar me Joan Garcia nga rivalët e qytetit Espanyol për një shumë prej 25 milionë euro.

Garcia pritet të jetë zgjedhja e parë nën drejtimin e Hansi Flick, ndërsa ish-portieri i Juventusit, Wojciech Szczesny, po konsiderohet si opsion rezervë.

Shitja e portierit gjerman, i cili ka një pagë të lartë, do t’i ndihmonte Barcelonës të balancojë financat përpara sezonit të ri.

Ndërkohë, Monaco është pranë nënshkrimit edhe me Ansu Fati, një tjetër lojtar i padëshiruar nga Barça, si dhe me Paul Pogba, teksa klubi synon të ndërtojë një skuadër konkurruese për titull, që mund të rivalizojë Paris Saint-Germain në garën për kampionatin francez.

Nën drejtimin e trajnerit Adi Hütter, Monaco po përgatit një sulm agresiv drejt kreut të Ligue 1, dhe e sheh Ter Stegen si një përforcim madhor në projektin e tyre./Telegrafi/

Të ngjashme

Foto lajm