Inzaghi: Bayerni është favorit, por ne duam të shkojmë sa më larg në Champions

14:16 | 8 Prill 2025
D.H

Inter është mysafir i Bayernit në “Allianz Arena” sonte me fillim nga ora 21:00.

Para kësaj sfide në konferencë për media ka dal trajneri i Interit, Simone Inzaghi, shkruan Arbresh.info.

Përballjen e ka cilësuar si të vështirë duke vlerësuar kundërshtarin.

“Do të jetë një ndeshje e vështirë, kundër një ekipi shumë të fortë në një stadium të bukur e në një atmosferë të mrekullueshme. Por ne e dimë përpjekjen që kemi bërë për të arritur këtu dhe do të shfrytëzojmë shanset tona. Duhet të jemi të zotë në gjithçka”, tha ai.

Më tej ai ka folur për gjendjen momentale të ekipit ku ka theksuar disa lëndime.

“Kemi disa lojtarë që ankojnë dhimbje, fundja si të gjitha skuadrat që luajnë kaq shumë. Por ne e dimë se cila është rruga jonë në Champions, pozicioni në kampionat dhe në Kupën e Italisë. Pas kësaj ndeshje do të kemi një ditë e gjysmë për të menduar për kampionatin, pastaj sërish Champions, pastaj kampionatin dhe Kupën e Italisë. Është një sezon i gjatë dhe intensiv, por jemi krenarë që jemi këtu”, potencoi ai.

Trajneri italian ka përmendur dy emra favoritë në Ligën e Kampionëve.

“Ata janë favoritët së bashku me Real Madridin, por ne duam të luajmë një ndeshje të madhe. E dimë se cila ka qenë rruga jonë. Në katër vitet që kam qenë tek Interi, nuk kemi bërë kurrë zgjedhje, duke i dhënë gjithmonë përparësi ndeshjes së radhës. E dimë se përfaqësojmë një klub të madh, ka një dëshirë të madhe për të luajtur këtë tremujor me një ekip shumë të fortë, por për të cilin duam të krijojmë probleme”, përfundoi Inzaghi.

Për të arritur në këtë fazë Interi ka eliminuar Feyenoordin kurse Bayerni e ka mposhtur Leverkusenin./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale