FFK reagon ndaj deklaratave të fundit për kurdisje nga disa zyrtarë të klubeve të Superligës

18:29 | 26 Prill 2026
D.H

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka dalë me një reagim zyrtar pas deklaratave të fundit të disa zyrtarëve të klubeve në rrjetet sociale, duke theksuar përkushtimin maksimal për ruajtjen e integritetit të garave dhe transparencën ndaj opinionit publik.

Në njoftimin e saj, Federata e Futbollit e Kosovës bën të ditur se monitorimi i ndeshjeve është i vazhdueshëm dhe përfshin jo vetëm xhiron aktuale, por të gjithë kampionatin. Sipas FFK-së, përveç mekanizmave të brendshëm, ekziston edhe një organizatë e kontraktuar nga UEFA, e cila analizon ndeshjet për çështje që lidhen me integritetin.

Brenda FFK-së funksionon edhe Komisioni i Integritetit të Garave, i cili angazhon përfaqësues në çdo ndeshje për të mbikëqyrur dhe raportuar çdo situatë të dyshimtë.

Federata thekson se nuk do të tolerojë asnjë formë të manipulimit të ndeshjeve apo ndikimit të paligjshëm në rezultate sportive. Lidhur me deklaratat publike të zyrtarëve të klubeve, FFK ka paralajmëruar se do t’i trajtojë me seriozitet të plotë dhe, në përputhje me rregulloret, do të iniciojë procedura disiplinore.

Në këtë proces do të përfshihen edhe institucionet relevante, përfshirë Policinë e Kosovës dhe organet në kuadër të Këshillit Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive.

FFK ka bërë të ditur se është në komunikim të vazhdueshëm me UEFA, ndërsa ndeshjet për të cilat janë ngritur dyshime janë duke u monitoruar.

Megjithatë, nga Federata theksojnë se shpeshherë deklarata të tilla mund të kenë për qëllim dëmtimin e imazhit të klubeve apo të futbollit kosovar në përgjithësi. Për këtë arsye, ata u kanë bërë thirrje të gjithë atyre që kanë pretendime publike që të paraqesin prova konkrete pranë organeve kompetente.

FFK garanton se çdo individ apo klub që vërtetohet se është i përfshirë në manipulim të ndeshjeve do të përballet me masa të rrepta disiplinore, deri në përjashtim nga garat, në përputhje me rregulloret e saj dhe normativat e FIFA dhe UEFA-s.

Në fund, Federata rikujton se klubet që synojnë pjesëmarrjen në garat ndërkombëtare janë nën monitorim të vazhdueshëm, pasi UEFA nuk lejon pjesëmarrjen e ekipeve që cenojnë integritetin e garave.

FFK ka ftuar gjithashtu çdo person që posedon informata të besueshme për raste të tilla që t’i raportojë ato tek organet kompetente, përfshirë Prokurorinë e Shtetit, duke theksuar se vetëm përmes provave të qëndrueshme mund të ndërmerren veprime konkrete dhe të sigurohen procese të drejta./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale