Eric Garcia “xhokeri” i Hansi Flickut

17:09 | 29 Dhjetor 2025
D.H

Në mungesë përforcimesh, Barcelona e Hansi Flick po funksionon mirë edhe pse klubi po kalon një periudhë pa transferime. Trajneri gjerman ka ditur ta kthejë këtë situatë në avantazh, duke u dhënë hapësirë të rinjve dhe duke shfrytëzuar maksimalisht lojtarët, që mund të luajnë në disa pozita.

Në këtë aspekt, lojtari që spikat më së shumti është Eric García. Një nga të preferuarit e Flick dhe futbollisti me më së shumti ndeshje këtë sezon.

Mund të thuhet lirshëm se formacionet e Flick ndërtohen me “Eric García dhe 10 të tjerë”, sepse e vetmja dilemë është se në cilën pozitë do ta vendosë.

Eric García u rikthye te Barcelona nga Manchester City, pasi ishte rritur në akademinë e klubit si qendërmbrojtës i djathtë. Me kalimin e kohës, ai ka luajtur në disa role të ndryshme dhe në secilin ka dhënë paraqitje solide. Kjo e bën atë një aset shumë të vlefshëm për Flick, i cili synon që këtë filozofi ta aplikojë edhe te lojtarët e tjerë.

Përveç se qendërmbrojtës i djathtë, Eric ka luajtur edhe në qendër të mbrojtjes nga e majta. Sezonin e kaluar u dallua si mbrojtës i djathtë, pozitë që e kishte mbuluar edhe gjatë huazimit te Girona, ndërsa në raste nevoje ka luajtur edhe si mbrojtës i majtë.

Megjithatë, surpriza më e madhe ka ardhur këtë sezon, kur Flick e ka përdorur si mesfushor mbrojtës. Eric ka qenë aq i mirë në këtë rol, sa ka arritur t’i lë në stol lojtarë si Casadó dhe Frenkie de Jong. Po ashtu, ai jep kontribut edhe në fazën sulmuese, sidomos në lojën ajrore.

Në të njëjtën linjë janë edhe lojtarë të tjerë. Zbulimi i fundit i Flick është Gerard Martín, i cili po luan si qendërmbrojtës i majtë, edhe pse deri tani ishte aktivizuar vetëm si mbrojtës krahu.

Edhe Raphinha po e luan rolin e “xhokerit” në skuadër, aktivizohet si ekstrem në të dy krahët dhe po ashtu si mesfushor ofensiv prapa sulmuesit. Diçka e ngjashme vlen edhe për Fermín, i cili mund të luajë si mediapuntë, si “9” i rremë apo edhe nga krahu i majtë.

Po ashtu lojtarë të tjerë si Rashford, Casadó, Ferran Torres dhe Frenkie de Jong, duke treguar se Barcelona e Flick po mbijeton dhe po rritet falë fleksibilitetit dhe zgjuarsisë taktike./Arbresh.info

 

Shpërndaje në rrjete sociale