Enrique në listën e dëshirave të drejtuesëve të Realit për ta marrë pozitën e trajnerit

19:16 | 5 Shkurt 2026
D.H

Sipas mediave angleze, përfshirë The Telegraph, Luis Enrique mund të jetë një nga emrat që Real Madridi po i shqyrton për postin e trajnerit nga sezoni i ardhshëm.

Trajneri aktual i Paris Saint-Germain është futur në listën e kandidatëve që klubi madrilen po monitoron për të ardhmen e pankinës së “Los Blancos”.

Strategu spanjoll ka përvojë të madhe si trajner, por e kaluara e tij me FC Barcelonën – ku fitoi tripletën historike shihet si pengesa kryesore për një emërim të mundshëm në Santiago Bernabéu.

Vetë Luis Enrique, rreth një vit më parë, kishte bërë shaka me këtë temë gjatë një konference për shtyp.

“Besoj se nuk ka askënd në histori që ka qenë lojtar dhe trajner te Barça dhe Real Madridi… mund ta thyej një rekord. Do të ishte bukur”, kishte thënë ai, për ta zbutur më pas deklaratën: “Nuk do ta bëj. Është shaka”.

Një transferim pothuajse i pamundur

Luis Enrique ka kontratë me PSG-në deri në vitin 2027, çka e bën shumë të vështirë largimin e tij nga Parisi. Për më tepër, e kaluara e tij si ikonë e Barcelonës e largon edhe më shumë nga pankina e Real Madridit.

Megjithatë, duhet kujtuar se Luis Enrique ka qenë edhe lojtar i Real Madridit, me të cilin ka fituar një La Liga, një Kupë të Mbretit dhe një Superkupë të Spanjës.

Ai më pas u largua drejt Camp Nout, ku u shndërrua në idhull të tifozëve blaugrana.

Që nga ajo kohë, deklaratat dhe gjestet e tij kanë reflektuar shpesh një qëndrim kritik ndaj Real Madridit, gjë që e bën edhe më befasuese mundësinë që ai të pranonte qoftë edhe të dëgjonte ofertën e klubit madrilen.

Klubi madrilen po skanon tregun e trajnerëve për shkak të situatës së paqartë me Arbeloan, i cili mori drejtimin e skuadrës disa javë më parë.

Edhe pse ka pasur një përmirësim të lehtë në lojë, ende mbetet e paqartë nëse ai mund ta çojë ekipin deri në fund të sezonit me mundësi reale për trofe.

Fillimi i tij nuk ka qenë ideal: Real Madridi u eliminua nga Kupa e Mbretit në ndeshjen e parë dhe mbeti jashtë Top 8-shes së Ligës së Kampionëve, pavarësisht se kualifikimi dukej i sigurt./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale