Çdo hap që Endrick po bën në Francë po ndiqet me lupë në Spanjë dhe, natyrisht, edhe në Brazil.
Paraqitjet e tij me Olympique Lyon në Ligue 1, ku ka realizuar 5 gola dhe një asistim në vetëm 430 minuta, kanë bërë jehonë të madhe në mediat sportive braziliane.
I pari që po fërkon duart është Carlo Ancelotti, trajneri i Kombëtares së Brazilit, i cili pati durim me talentin brazilian gjatë vitit të tij të parë te Real Madridi dhe vazhdon të ketë besim të madh në të.
Me Endrickun, gjithçka është e hapur sa i përket Botërorit 2026. Për një vend në sulmin e “Seleçaos” përmenden shumë emra, por asnjëri nuk shihet si dominues absolut. Në garë janë Richarlison, João Pedro, Matheus Cunha, ndërsa opsioni i Vitor Roque ka humbur peshë.
Përmenden gjithashtu Gabriel Jesus, që po rikthehet nga lëndimi, dhe Igor Jesus. Megjithatë, nga gjithë kjo “stuhi emrash”, Endrick po del gjithnjë e më shumë si i preferuari i tifozëve.
Vendimi i tij për t’u larguar në huazim dhe për të zgjedhur Olympique Lyon ka rezultuar vendimtar. Kjo lëvizje i ka rihapur dyert drejt Botërorit.
Edhe vetë Ancelotti kishte dëshirë që Endrick të vazhdonte progresin. Në fillim të nëntorit, ai deklaroi për revistën Placar.
“Po, fola me të në fillim të sezonit. Ishte i lënduar, por tani është mirë. Duhet të mendojë me rrethin e tij se çfarë është më e mira. Mund të luajë në Botërorin 2026, por edhe në atë të 2030, 2034, madje ndoshta edhe 2038 (qesh). Është e rëndësishme të luajë dhe të tregojë cilësinë e tij”.
Endrick e pa Lyonin si ambientin ideal, sepse i garantonte minuta që nga fillimi. Në prezantimin e tij, ai zbuloi se kishte folur paraprakisht me Ancelottin.
“Po, fola me Ancelottin dhe më dha këshilla për t’u përmirësuar si lojtar. Fjalët e tij më prekën shumë. Më tha: ‘Shko, zhvillo futbollin tënd, dua të jesh i lumtur’”.
Së fundmi, në një intervistë për AS, Endrick foli sërish me superlativa për trajnerin italian.
“Mund të shkruaja një libër për gjithçka që kam mësuar nga Ancelotti. Ai ka luajtur dhe trajnuar në nivelet më të larta dhe na ka mësuar jo vetëm futbollin, por edhe jetën si futbollist”.
Huazimi te Lyoni e ka rikthyer Endrickun fuqishëm në skenë. Ai është më afër se kurrë Botërorit 2026. Kujtojmë se ai kishte qenë sensacion me Brazilin edhe para se të mbushte 18 vjeç.
Çmimi i Bitcoin bie për ‘tokë’
Inspektorati mbyll 26 motele dhe villa në gjithë Kosovën
Roma po e shqyrton rikthimin e Tottit me një rol të rëndësis...
Ministri për pakicat pretendon se të drejtat e shqiptarëve n...
I pari i futbollit në botë uron Agim Ademin për rizgjedhjen ...
Gjukanoviq uron Kurtin për fitoren gjatë një takimi në Prish...