Dy krerët e federatave të futbollit takohen para ndeshjes Sllovaki – Kosovë

20:04 | 26 Mars 2026
D.H

Në prag të ndeshjes ndërmjet përfaqësueses së Sllovakisë dhe përfaqësueses së Kosovës, në kuadër të play-offit të Kupës së Botës, delegacioni i Kosovës është pritur në një darkë zyrtare nga presidenti i Federatës së Futbollit të Sllovakisë, Jan Kovačík, në Bratislavë.

Këtë e ka bërë të ditur presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi në Facebook, shkruan Arbresh.info.

“Në prag të ndeshjes Sllovaki – Kosovë, së bashku me nënkryetarin Bakir Burri dhe anëtarin e KE-së, Samir Ujkani, u mirëpritëm ngrohtësisht në darkën zyrtare nga presidenti i Federatës sllovake, Jan Kovačík. Ai na uroi mirëseardhje në Sllovaki dhe theksoi se janë ndërmarrë të gjitha masat që gjatë qëndrimit në Bratisllavë të ndihemi sa më komod.”

“E falënderova për mikpritjen e ngrohtë të ekspeditës sonë, që nga aeroporti dhe në të gjitha segmentet e organizimit. E vlerësova veçanërisht faktin që shumë qytetarë të Kosovës dhe bashkëatdhetarë tanë, gjatë këtyre dy ditëve, janë ndjerë të lirë dhe të mirëpritur në qytet dhe në ambientet publike.”

“Gjatë kësaj darke diskutuam për zhvillimin e futbollit në vendet tona, për formatin e ligave, si dhe për projektet që po zhvillohen pas pranimit tonë në UEFA dhe FIFA.”

“Po ashtu, theksova se futbolli dhe sporti në përgjithësi janë një mundësi e mirë për afrimin e popujve dhe vendeve tona.”

“Në fund, shkëmbyem dhurata simbolike, duke i uruar njëri-tjetrit një ndeshje në frymën e “fair-play”-t”, ka shkruar Ademi në llogarinë e tij në Facebook.

Ndeshja mes Sllovakisë dhe Kosovës nis nga ora 20:45. Fituesi i këtij ballafaqimi përballet me Turqinë për një avend në Kupën e Botës./Arbresh.info

 

Shpërndaje në rrjete sociale