Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, pas sfidës Shqipëri-Serbi, tha se kuqezinjtë i kishin të gjitha shanset për të fituar sfidën.
Ndeshja e vlefshme për grupin “K” të kualifikueseve të botërorit “SHBA 2026”, mes Shqipërisë dhe Serbisë, e luajtur të shtunën në mbrëmje në Tiranë, që përfundoi me rezultatin 0-0, u vlerësua nga kreu i FSHF, si një sfidë e bukur, ku nuk munguan rastet për skuadrën tonë kombëtare për të siguruar tri pikët.
“Një ndeshje e bukur, që mund ta kishim fituar. Barazojmë 0-0 me Serbinë dhe ajo që na motivon më së shumti për të ardhmen është loja e bërë, vetëbesimi i lojtarëve, autoriteti i tyre në fushë…I kishim të gjitha mundësitë për të marrë tre pikët, që do të kishin qenë të merituara nga ana jonë. Gjithsesi futbolli i tillë, jo gjithmonë prodhon rezultatin që meriton”, ka theksuar Duka.
Kreu i FSHF vlerësoi lojtarët, por edhe stafin teknik të kuqezinjve.
“Përgëzime për djemtë e ekipit, për gjithçka dhanë në fushë, trajnerin Sylvinho dhe stafin teknik për punën e bërë për përgatitjen e ndeshjes dhe për mënyrën se si e drejtuan skuadrën sot”, shkruan Duka.
Nuk mungoi dhe vlerësimi për tifozët.
“Falënderojmë edhe tifozët, që sërish ishin në mbështetje të Kombëtares dhe besuan e i dhanë kurajo skuadrës për të marrë maksimumin në fushën e blertë. Tani duhet të shohim përpara, ndeshja me Letoninë vjen shpejt dhe duhet të jemi gati për të që të japim më të mirën dhe të marrim tre pikët”, përfundoi reagimin e tij Duka.
