Dinamo City mposht Egnatian në “Air Albania” dhe fiton Superkupën e Shqipërisë

21:43 | 28 Dhjetor 2025
D.H

Dinamo City fitoi Superkupën e Shqipërisë, pasi mposhti Egnatian 3-1 në finalen e luajtur mbrëmjen e sotme në stadiumin “Air Albania”.

Skuadra blu triumfoi falë golave të Bregut, Nanit dhe Klevi Qefalisë, ndërsa për Egnatian realizoi Flamur Ruçi.

Egnatia e nisi ndeshjen me këtë formacion titullar: Dajsinani (GK), Ndreca, Xhemajli, Sota, Fangaj, Aleksi, Fernando, Ruçi, Albanese, Bakajoko dhe Selmani.

Dinamo City e nisi ndeshjen me këtë formacion titullar: Teqja (GK), Neziri, Teikseira, Dita, Maliqi, Karamba, Qefalija, Bregu, Nani, Guindo dhe B. Berisha.

Egnatia e nisi më mirë takimin dhe pas disa rasteve të krijuara arriti të zhbllokojë rezultatin në minutën e 9-të me golin e Flamur Ruçit. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin 1-0 për Egnatian.

Në pjesën e dytë, Dinamo City reagoi dhe përmbysi gjithçka. Fillimisht barazoi rezultatin me Bregun në minutën e 55-të, ndërsa në të 59-ën Nani shënoi golin e avantazhit për blutë.

Në minutat shtesë të ndeshjes, Dinamo City fitoi një penallti, e cila u shndërrua në gol nga Klevi Qefalia, duke vulosur përfundimisht fitoren 3-1 dhe trofeun e Superkupës së Shqipërisë.

Pas përfundimit të takimit u zhvillua ceremonia e medaljeve dhe dorëzimit të trofeut nga Federata Shqiptare e Futbollit. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, shpërndau medaljet për të dyja ekipet dhe i dorëzoi trofeun e Superkupës së Shqipërisë Dinamo Cityt.

Shpërndaje në rrjete sociale