Delegacioni i FFK-së bën homazhe në Prekaz

14:53 | 7 Mars 2022

Presidenti Agim Ademi në shoqëri të KE të FFK-së dhe ekipeve pjesëmarrëse të turneut të veteranëve “Të gjithë vëllezërit së bashku”, sot, kanë bërë homazhe tek varrezat e familjes Jashari në Prekaz.

Kreu i FFK-së shprehu edhe një herë mirënjohjen e tij dhe të gjithë komunitetit të futbollit për Komandatin Legjendar Adem Jashari dhe familjen e tij, të cilët u flijuan për lirinë që ne sot e gëzojmë.

“Jemi sot këtu në vendin e shenjtë në Prekaz, aty ku Komandati Legjendar dhe familja e tij e flijuan jetën e tyre për lirinë tonë. Ne, si FFK në kuadër të shënimit të Epopesë së UÇK-së e kemi organizuar turneun e veteranëve të futbollit me pjesëmarrjen e ekipeve nga Kosova, Shqipëria, Lugina e Preshevës e Ulqini dhe kemi ardhur këtu për t’i nderuar ata që sakrifikuan edhe jetën e tyre që ne sot të kemi mundësinë të jetojmë të lirë dhe të jemi bashkë të gjithë shqiptarët në manifestime e turne të ndryshme”, ka theksuar presidenti Ademi pas homazheve në Prekaz, i cili ka bërë me dije se turneu “Të gjithë vëllezërit së bashku” do të jetë tradicional.

Pas homazheve në Prekaz, delegacioni është nisur në Hajvali, ku zhvillohet turneu i veteranëve.

Shpërndaje në rrjete sociale