De Biasi i beson gardës së vjetër

09:07 | 9 Shtator 2016
M. A.

Në këtë nisje të kualifikimeve për Botërorin “Rusi 2018”, Shqipëria është renditur përkrah Italisë dhe Spanjës që kanë fituar me lehtësi ndeshjen e parë. Por, ekipi i Gianni De Biasit nuk ka bërë revolucion në skuadër, siç kanë bërë kundërshtarët e Grupit G.

Kuqezinjtë i kanë mbetur besnik grupit të lojtarëve që kanë luajtur edhe gjatë kualifikueseve të kaluara, apo edhe në Europian. Me përjashtim të largimit të Canës, pjesa tjetër e skuadrës është e pandryshuar.

Është bërë vetëm rikthimi i Hykës, si dhe në grup janë afruar Manaj e Strakosha. Tre emra që nuk përbëjnë revolucion dhe ndryshime thelbësore.

Edhe pse në formacion u vu re që të provohej rreshtimi 3-5-2 gjatë ndeshjes me Maqedoninë, sërish starti i saj ishte me një modul shumë të njohur për kuqezinjtë: 4-5-1.

Ndryshe nga homologët, Gianni De Biasi nuk ka ndryshuar shumë dhe nuk ka preferuar që të eksperimentojë. Ai kërkon që ta shfrytëzojë këtë fakt, për të pasur si armë të fortë konsolidimin e ekipit dhe lojën me një skemë që e njeh mjaft mirë dhe me anë të së cilës në të shkuarën ka përballuar me sukses skuadra të madha e me shumë eksperiencë.

Italia, Spanja, Izraeli e Maqedonia janë ekipe që kanë disa ndryshime në ekipet e tyre, dy favoritet kanë trajnerë të rinj në drejtim, po ashtu edhe futbollistë të rinj e të rikthyer.

Tek Azzurrët, me përjashtim të repartit të prapavijës, që ka qenë i njëjtë me atë të Italisë së Antonio Contes, pjesa tjetër e skuadrës ka pësuar një sërë ndryshimesh dhe risish, si në emra, ashtu edhe në vendosje.

Me ardhjen e Venturës, Antoneli, Verrati e Donaruma janë emra që duket se do t’i japin një tjetër fizionomi Italisë.

Ndërsa te Spanja, jo vetëm trajneri që është i ri, por tashmë janë afruar edhe lojtarë si Koke e Diego Costa, ndërsa është komentuar shumë largimi i Iker Casillasit nga planet e kombëtares.

E njëjta gjë është edhe me Maqedoninë, e cila me trajnerin e ri ka ndryshuar një sërë lojtarësh në organikën e saj

Shpërndaje në rrjete sociale