Dani Alves drejt rikthimit sensacional në fushë, gati të luajë në Portugali

21:48 | 22 Dhjetor 2025
D.H

Dani Alves është shumë pranë një rikthimi befasues në futbollin aktiv.

Sipas ESPN Brasil, ish-ylli brazilian është në prag që të bëhet aksioneri kryesor i Sporting Clube de São João de Ver, klub që garon në Divizionin e Tretë portugez, në një marrëveshje të shpejtë dhe të bujshme.

Përveç rolit drejtues, Alves pritet të rikthehet edhe si lojtar, duke firmosur një kontratë për gjysmën e dytë të sezonit, nga janari deri në qershor.

Në moshën 42-vjeçare, mbrojtësi i djathtë dëshiron ta mbyllë karrierën në fushë, me fanellë veshur, dhe jo larg futbollit.

Braziliani ishte larguar nga futbolli që në janar 2023, pas një procesi të gjatë gjyqësor në Spanjë.

Ai kaloi 14 muaj në paraburgim, por në muajin mars u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Drejtësisë e Katalonjës, edhe pse Prokuroria ka ankimuar vendimin në Gjykatën Supreme.

Së fundmi, Alves u rikthye në qendër të vëmendjes mediatike pasi u filmua duke predikuar në një kishë ungjillore pranë Gironës.

Sipas burimeve pranë lojtarit, që prej lirimit nga burgu ai ka qenë i angazhuar “pas skene” në futbollin europian, thuajse në rolin e agjentit, por gjithmonë me një ide fikse, rikthimin në fushë dhe ndërtimin e rrugës drejt karrierës si trajner.

Sporting São João de Ver renditet aktualisht në vendin e nëntë në Grupin A të Terceira Liga, në zonën e “play-off”-it për mbijetesë.

Objektivi i parë i Alves do të jetë shmangia e rënies, por pa përjashtuar edhe një përpjekje për luftë për ngjitje, pasi diferenca me Braga B, skuadra që mbyll zonën e promovimit, është shtatë pikë./Arbresh.info

 

Shpërndaje në rrjete sociale