Barcelona largon mesfushorin e rritur në akademinë e tyre të futbollit

10:46 | 3 Gusht 2022
KRG

Kanë mbetur për t’u përcaktuar detajet e fundit, por praktikisht Riqui Puig është lojtar i Los Angeles Galaxy.

Skuadra amerikane ka bindur drejtuesit e Barçës për të pranuar propozimin e saj. Ideja është që lojtari të transferohet si i lirë, por Barcelona të ruajë 50% të kartonit në rast të shitjes së 22-vjeçarit në të ardhmen.

Merkatoja në MLS mbyllet më 4 gusht, kështu që zyrtarizimi i marrëveshjes (Riqui Puig do të nënshkruajë për tri sezonet e ardhshme) duhet të ndodhë në orët e ardhshme.

Lojtari i La Masias iu bashkua ekipit të parë të Barcelonës në vitin 2019, por nuk arriti të kishte vazhdimësi, aq më pak nën urdhrat e Ronald Koemanit.

Nuk ia doli as me Xavi Hernandezin, i cili në fund të sezonit të kaluar i tha se nuk e kishte në planet e tij dhe se gjëja më e mirë ishte të gjente një ekip që u përshtatej karakteristikave të tij.

Tani Riqui Puig do të vazhdojë rrugëtimin e tij në MLS. Chicharito, Douglas Costa dhe Víctor Vázquez e presin në ekipin e Los Angeles Galaxy./SS/

Shpërndaje në rrjete sociale