Aspektet kryesore të transferimit të mundshëm të Neymarit në Barcelonë e Real Madrid

09:56 | 18 Qershor 2019
A Z

Neymari është në treg dhe gjithçka duket se sugjeron se ai do të transferohet ose në Real Madrid, ose në Barcelonë. Kjo do të thotë se topi tani është në fushën e Florentino Perezit dhe Josep Maria Bartomeut.

Për shkak të problemeve ligjore, lëndimeve dhe gjërave të tjera, drejtuesit e Paris Saint-Germainit janë të gatshëm ta shesin Neymarin gjatë afatit kalimtar të kësaj vere. E gjitha kjo situatë duhet të vlerësohet nga liderët e dy klubeve spanjolle, shkruan Marca, transmeton Gazeta Express.

Nasser Al Khelaifi e ka bërë të qartë në intervistat e fundit se Neymari duhet ta vlerësojë projektin e klubit si prioritetin e tij nëse dëshiron ta vazhdojë karrierën në Parc des Princes. Përndryshe, ai nuk është i dëshiruar në klub, edhe pse PSG-ja do të preferonte ta mbante atë në skuadër.

Pyetja tani është nëse tashmë është shumë vonë, pasi që Neymari nuk ishte pjesë e as Real Madridit e as Barcelonës para kësaj vere dhe për shkak të çmimit të lartë të tij. PSG-ja do të jetë e gatshme ta ulë çmimin e tij nëse lojtarë të tjerë përfshihen në marrëveshje, veçanërisht për Real Madridin.

Barcelona kundër Neymarit

Nëse Barcelona bën ofertë për Neymarin, ata do të duhet ta zgjidhnin situatën e Antoine Griezmannit, i cili nënshkroi marrëveshje me klubin para tre muajve përmes avokatit të tij, Sevan Karian. Por, kjo marrëveshje nuk hyn në fuqi deri më 1 korrik dhe të dy palët kanë kohë ta prishin marrëveshjen deri në atë datë.

LUIS SUAREZ NEYMAR MESSI

Nëse Barcelona bën ofertë për Neymarin, atëherë Griezmanni mund të shkojë në Paris, ku klubi do ta bashkohet dyshen e sulmit të Kombëtares së Francës – Mbappe dhe Griezmann.

PSG-ja nuk do ta kishte problem ta paguante rrogën e Griezmannit, edhe pse Griezmanni më herët kishte thënë se nuk është i gatshëm të luajë në vendlindje përveç për Olympique Marseille dhe Olympique Lyonnais.

PARTIDO DE IDA OCTAVOS FINAL COPA DE EUROPA REAL MADRID-PSG

Një tjetër sfidë është situata mes Barcelonës dhe Neymarit, ku janë ende të hapura dy procese ligjore. Barcelona po ia kërkon PSG-së edhe 20 milionë euro të tjera për transferimin e brazilianit, i cili para se të transferohej në PSG kishte pasur kontratë me Barcelonën edhe për dy vjet të tjera.

Neymari argumenton se kjo nuk është e vërteta dhe se Barcelona i ka ende borxh para, 43.5 milionë euro, për një pagë të dytë të cilën klubi s’kishte pranuar t’ia paguajë futbollistin pasi që dyshonte se ai do të largohej nga klubi.

VINICIUS JR NEYMAR

Këto probleme ligjore mund të marrin fund nëse të dy palët pajtohen për një gjë të tillë, ose nëse ata arrijnë marrëveshje, ndoshta përmes një bonusi për transferim.

Barcelona pro Neymarit

Epërsia më e madhe e Neymarit në Barcelonë është se zhveshtorja është në anën e tij dhe ata e duan me ngulm kthimin e brazilianit në Camp Nou, pasi që e konsiderojnë atë pasardhësin e Lionel Messit.

Real Madridi pro Neymarit

Destinacioni alternativ i Neymarit është Real Madridi, ku presidenti Florentino Perez e ka adhuruar që një kohë të gjatë sulmuesin brazilian dhe vazhdimisht e ka kërkuar transferimin e tij në kryeqytetin spanjoll.

Dilema për Real Madridin është nëse ata duhet të investojnë për Neymarin tani apo të presin për Kylian Mbappen.

Por, PSG-ja e ka bërë të qartë se Mbappe nuk është për shitje dhe mundësia e largimit të Neymarit vetëm sa e përforcon këtë qëndrim të drejtuesve të klubit francez.

Real Madridi kundër Neymarit

Problemi për Real Madridin është se ata tashmë e kanë transferuar Eden Hazardin, përderisa në skuadër ka edhe lojtarë të tjerë për fazën e sulmit, si Vinicius Junior, Luka Jovic, Karim Benzema dhe Marco Asensio.

Për momentin, në skuadrën e “Los Blancos” nuk ka vend për Neymarin, i cili mund të bëhet “Galactico” më i madh deri më tani, por ai duhet t’ia bllokojë rrugën një lojtari tjetër.

Pagat e tij do t’i kushtonin klubit tre milionë euro në muaj, 36 milionë euro në vit. Këtë shumë kaq të lartë nuk mund ta përballojë Real Madridi aktualisht, pa hyrë në telashe me FIFA-n. /Gazeta Express/

Shpërndaje në rrjete sociale