Arsenali synon t’i fitojë të gjitha trofetë këtë sezon, thotë Saliba

10:04 | 2 Shkurt 2026
E.G

Mbrojtësi i Arsenalit, William Saliba, ka deklaruar se skuadra londineze synon t’i fitojë të gjitha trofetë këtë sezon.

“Topçinjtë” kryesojnë si në Ligën Premier ashtu edhe në Ligën e Kampionëve, ndërsa janë ende në garë edhe në FA Cup dhe Carabao Cup, duke mbajtur gjallë objektivin për katër trofe.

“Sigurisht që duam të fitojmë çdo kompeticion. Kemi skuadrën dhe trajnerin për ta bërë këtë. Duhet të vazhdojmë përpara dhe të jemi të përqendruar në çdo garë”, u shpreh Saliba.

Reprezentuesi francez vlerësoi edhe thellësinë e skuadrës, duke theksuar se çdo lojtar është i gatshëm të kontribuojë.

“Kemi shumë lojtarë cilësorë. Edhe ata që nuk nisin nga minuta e parë kanë nivelin për të qenë titullarë. Të gjithë janë gati të japin maksimumin kur të kërkohet”, theksoi ai.

Saliba foli edhe për fitoren e rëndësishme të së shtunës ndaj Leeds United në udhëtim.

“Ishte shumë e rëndësishme të fitonim, sepse javën e kaluar nuk ishim të kënaqur me paraqitjen në shtëpi. Pësuam tre gola dhe humbëm pikë, gjë që nuk na pëlqen”, pohoi ai.

Ai shtoi se skuadra reagoi në mënyrën e duhur.

“Deshëm të tregojmë se ajo ishte vetëm një gabim që mund të ndodhë. Tani jemi kthyer te bazat, me një fitore dhe portë të paprekur ndaj një ekipi të fortë. Nuk është kurrë e lehtë të fitosh në Elland Road, ndaj jemi të kënaqur me paraqitjen, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm”, përfundoi Saliba.

Shpërndaje në rrjete sociale