Amir Rrahmani fiton Superkupën e Italisë, Napoli mposht në finale Bolognan

21:57 | 22 Dhjetor 2025
D.H

Napoli ka triumfuar në finalen e Superkupës së Italisë, duke mposhtur Bolognan me rezultatin 2-0, në një ndeshje ku protagonisti absolut ishte David Neres.

Sfida u zhbllokua në minutën e 39-të kur David Neres realizoi një supergol nga distanca, duke dërguar topin në këndin e sipërm të portës dhe duke zhbllokuar rezultatin për ekipin e Antonio Contes, shkruan Arbresh.info.

Në fillimin e pjesës së dytë, Napoli vazhdoi me të njëjtin ritëm.

Në minutën e 48-të, Amir Rrahmani ishte shumë pranë golit pas një goditjeje me kokë, por portieri i Bolognas reagoi në mënyrë të shkëlqyer.

Goli i dytë erdhi në minutën e 57-të, sërish me firmën e David Neres, i cili përfitoi nga një top i mbetur në zonë dhe e dërgoi saktë në cepin e poshtëm të portës, duke vulosur fitoren e Napolit.

Deri në fund të takimit, Napoli arriti ta mbajë rezultatin nën kontroll, duke mos lejuar Bolognan të rrezikojë seriozisht portën ku edhe e fitoi Superkupën e Italisë.

Kjo është hera e tretë në histori që Napoli fiton Superkupën e Italisë, ndërsa është hera e parë për kapitenin e Kosovës, Amir Rrahmani./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale