Alonso i gatshëm ta marrë drejtimin e “The Reds”, nëse klubi e sheh si opsion

19:10 | 20 Janar 2026
D.H

Emri i Xabi Alonsos ka nisur të qarkullojë në lidhje me Liverpoolin, menjëherë pas largimit të tij nga posti i trajnerit të Real Madridit.

Sipas prestigjiozes spanjolle Marca, e cila ka lidhje të forta me rrethet e Real Madridit, e ardhmja e afërt e trajnerit bask tashmë është e qartë.

Alonso planifikon të kalojë muajt e ardhshëm larg vëmendjes mediatike, duke qëndruar me familjen në San Sebastián.

Ai është parë në plazhin La Concha së bashku me babanë e tij, ish-lojtarin e Real Sociedadit, Perico Alonso. Bashkëshortja e tij, Nagore Aranburu, dhe tre fëmijët do të jenë prioriteti kryesor i Alonsos gjatë kësaj periudhe reflektimi.

Megjithatë, Marca thekson se Alonso synon të marrë një “pushim aktiv për disa muaj”, përpara se të shqyrtojë oferta duke filluar nga muaji korrik.

Premier League pritet të ketë “shumë për të thënë” për destinacionin e tij të ardhshëm, ndërsa mes klubeve angleze, Liverpooli shihet si favorit.

Sipas raportimit, nëse Liverpooli do ta kontaktonte Alonson para korrikut, gjithçka mund të ndryshonte.

“Te Liverpooli, siç e dimë të gjithë, ai do të shkojë. Herët a vonë”, shkruan gazetari Juan Castro. Lidhja emocionale e Alonsos me “Anfield”, të cilin ai e quan “klubi i zemrës”, mund ta përshpejtojë çdo vendim.

Preferenca e Alonsos mbetet të pushojë deri në verë përpara se të marrë një projekt të ri. Një skenar i tillë do ta detyronte Liverpoolin ose të vazhdonte me Arne Slot deri në fund të sezonit, ose të emëronte një trajner të përkohshëm ose dy opsione që, sipas raportimeve, nuk duken të pëlqyeshme për pronarët e klubit, FSG.

E ardhmja e Xabi Alonsos mbetet e hapur, por një rikthim në “Anfield” duket më shumë çështje kohe sesa mundësie./Arbresh.info

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale