Zbardhet dinamika e vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, si u fut në sallë arma dhe u ekzekutua me gjakftohtësi

10:04 | 7 Tetor 2025
Q L

Prokuroria e Tiranës ka lëshuar urdhra arresti për dy persona të tjerë në lidhje me ngjarjen tragjike të ndodhur një ditë më parë në ambientet e Gjykatës së Apelit Tiranë, ku mbeti i vrarë gjyqtari Astrit Kalaja.

Në pranga janë vendosur xhaxhai i autorit, Gjon Shkambi, dhe punonjësi i sigurisë së gjykatës, Banush Koxhaj, i cili dyshohet se ka dështuar në kryerjen e detyrës.

Sipas hetimeve të Prokurorisë, ngjarja ndodhi rreth orës 15:38, gjatë një seance gjyqësore me objekt “Kundërshtimin e veprimeve përmbarimore”. Palë paditëse ishte shtetasi R. K., i shoqëruar nga djali i tij E. K., ndërsa në cilësinë e palëve të paditura ishin përmbaruesi gjyqësor T. M., Zyra Përmbarimore Shkodër, si dhe Gjon Shkambi i shoqëruar nga nipi i tij, Elvis Shkambi.

Pamjet filmike dhe dëshmitë e mbledhura kanë zbardhur se në orën 13:42, Elvis dhe Gjon Shkambi kanë hyrë në ambientet e gjykatës dhe kanë kaluar nga pajisja e skanerit të sigurisë. Pajisja sinjalizoi praninë e metaleve, por punonjësi i sigurisë Banush Koxhaj nuk kreu asnjë kontroll fizik apo regjistrim të personave në librin e protokollit, siç e kërkon rregullorja.

Dy personat qëndruan në hollin e pritjes deri në orën 15:29 dhe më pas hynë në sallën e gjyqit nr. 3. Sipas hetimeve, në momentin që gjyqtari Kalaja shpalli vendimin, Elvis Shkambi nxori një pistoletë nga brezi dhe qëlloi disa herë drejt tij. Gjyqtari u plagos rëndë dhe humbi jetën gjatë transportit për në spital.

Më pas, autori qëlloi edhe në drejtim të R. K. dhe E. K., duke i plagosur të dy, por fatmirësisht ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, Gjon Shkambi nuk ndërhyri për të ndaluar nipin e tij, çka ka ngritur dyshime se ai ka qenë në dijeni të planit për ekzekutimin e gjyqtarit, duke pasur rolin e shtytësit apo ndihmësit në krim.

Pas krimit, Elvis Shkambi i ka dorëzuar armën një nëpunësi gjyqësor dhe është neutralizuar në oborr nga policia.

Ndaj Elvis Shkambit, 30 vjeç, rëndojnë akuzat për “Vrasje e funksionarëve publikë” e kryer në bashkëpunim, “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” e mbetur në tentativë, dhe “Mbajtje pa leje e armëve”. Gjon Shkambi, 56 vjeç, do të gjykohet për “Vrasje e funksionarëve publikë” në bashkëpunim dhe “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” e mbetur në tentativë, ndërsa Banush Koxhaj, 63 vjeç, i dyshuar për “Shpërdorim detyre”.

Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e zjarrit pistoletë me tre fishekë, si dhe prova të tjera që ndihmojnë dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje tronditëse./RTSH