Votimi elektronik, Basha: Askush s’do të fusë duart te votat

19:16 | 16 Janar 2017
Trina Galanxhi

Pas mbledhjes ku koalicioni opozitar nënshkroi memorandumin për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe kërkesa e tyre e patejkalueshme ishte votimi dhe numërimi elektronik, Basha mblodhi kryesinë e PD-së.

Kreu i opozitës theksoi se votimi elektronik i jep zgjidhje përfundimtare problemeve kryesore të zgjedhjeve.

“Askush nuk do të fusë më duart në votat e shqiptarëve, nuk do të ketë më kuti votimi. Ne do të luftojmë në këtë beteje për çdo shqiptar, jo vetëm për demokratët”, tha Basha, i cili theksoi ndër të tjera se PD-ja do të angazhohet për në një dialog të drejtpërdrejtë me të gjithë qytetarët.

Lulzim Basha tha se procesi i Vetting-ut siguron një listë dinjitoze përfaqësuese. “Të eliminojmë çdo njollë kriminaliteti dhe korrupsioni nga lista e ardhshme e PD-së”, tha ai.

Ndërkohë në seancën e mbajtur këtë të hënë në Kuvend, opozita parlamentare ka përcaktuar si çështje të saj parësore në seancën e parë për 2017, çështjen e zgjedhjeve. Partia Demokratike parashtroi me anë të kreut të Grupit Parlamentar, Edi Paloka pesë kushtet e saj për zgjedhjet e ardhshme.

Shpërndaje në rrjete sociale