Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i është drejtuar me një letër Këshillit Bashkiak të Tiranës para miratimit të buxhetit për vitin 2026.
Në letër, Veliaj thekson se sipas ligjit, Këshilli duhet të marrë mendimin e tij, pasi miratimi pa konsultim me Kryetarin e zgjedhur përbën devijim nga standardet e qeverisjes vendore dhe pengim të realizimit të mandatit të tij demokratik.
“Duhet të merrni mendimin tim; miratimi pa konsultim me Kryetarin e zgjedhur përbën devijim nga standardet e qeverisjes vendore dhe pengim të realizimit të mandatit tim demokratik. Miratimi i buxhetit për vitin 2026 pa konsultim me Kryetarin e zgjedhur do të përbënte jo vetëm një devijim nga standardet e qeverisjes vendore, por edhe një vijim të gjendjes së rëndë që pengon realizimin e mandatit tim demokratik, duke cenuar drejtpërdrejt prioritetet qeverisëse të miratuara nga qytetarët e Tiranës. shprehet Veliaj, raporton Euronewsalbania.
Letra e plotë:
“Të nderuar anëtarë të Këshillit Bashkiak. Ju drejtohem në cilësinë time kushtetuese dhe ligjore si Kryetar i zgjedhur i Bashkisë së Tiranës, për t’ju kërkuar që, përpara shqyrtimit dhe miratimit, të konsultoni dhe të merrni paraprakisht mendimin dhe vullnetin tim institucional mbi projektbuxhetin e Bashkisë së Tiranës për vitin 2026.
Më datë 18 dhjetor, Këshilli Bashkiak pritet të shqyrtojë dhe miratojë projektbuxhetin për vitin 2026. Ky moment përbën aktin më të rëndësishëm financiar dhe politik të vitit për një bashki, pasi buxheti është instrumenti kryesor për realizimin e mandatit politik të Kryetarit të Bashkisë, mandat i dhënë drejtpërdrejt nga qytetarët e Tiranës.
Dëshiroj të rikujtoj se, sipas ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar, ligjit nr. 68/2017 “Për financat e vetëqeverisjes vendore”, të ndryshuar, kuadrit ligjor për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë, si edhe praktikës së konsoliduar të vetëqeverisjes vendore, propozimi i buxhetit është atribut ekskluziv i Kryetarit të Bashkisë. Çdo buxhet që miratohet pa konsultim real dhe substancial me Kryetarin e zgjedhur nuk mund të konsiderohet shprehje e vullnetit politik të qytetarëve, por vetëm një akt formal administrativ, i zhveshur nga legjitimiteti demokratik.
Situata aktuale është veçanërisht shqetësuese. Zbatimi i buxhetit të vitit 2025 ndodhet në një gjendje alarmante, me një nivel realizimi shumë të ulët, në kontrast të thellë me normat historike të realizimit që Bashkia e Tiranës ka pasur gjatë ushtrimit normal të mandatit tim. Ky është një tregues i qartë i paralizës institucionale që po i shkaktohet Bashkisë së Tiranës.
Në këto kushte, miratimi i buxhetit për vitin 2026 pa konsultim me Kryetarin e zgjedhur do të përbënte jo vetëm një devijim nga standardet e qeverisjes vendore, por edhe një vijim të gjendjes së rëndë që pengon realizimin e mandatit tim demokratik, duke cenuar drejtpërdrejt prioritetet qeverisëse të miratuara nga qytetarët e Tiranës.
Për këto arsye, kërkoj zyrtarisht që, përpara shqyrtimit dhe miratimit të projektbuxhetit të vitit 2026:
Këshilli Bashkiak të realizojë konsultim institucional me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, në mënyrë që buxheti të reflektojë prioritetet politike dhe programore për të cilat qytetarët më kanë votuar;
Të merret në konsideratë se çdo dëgjesë publike e zhvilluar pa pjesëmarrjen ose konfirmimin e Kryetarit të zgjedhur nuk mund të zëvendësojë këtë konsultim, pasi nuk mbart legjitimitet demokratik;
Të vlerësohet se miratimi i projektbuxhetit pa u propozuar dhe konfirmuar nga ana ime, në thelb, institucionalizon përjashtimin e Kryetarit të zgjedhur nga ushtrimi i funksioneve të tij kushtetuese.
Kjo kërkesë lidhet drejtpërdrejt me respektimin e vullnetit të qytetarëve dhe parandalimin e një precedenti, ku organi monokratik i zgjedhur zëvendësohet de facto, në aktin më politik të vitit, nga struktura të emëruara apo të deleguara përkohësisht.
Një buxhet i miratuar në këto kushte, pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese për vijimin tim në detyrë, do pasqyronte faktin se Kryetari i zgjedhur po pengohet në ushtrimin e mandatit të tij, me pasoja serioze për qeverisjen vendore, rendin demokratik lokal dhe autonominë e vetëqeverisjes”, shkruaj Veliaj.
Dikur luante tek Real Madridi, Reguilon tashmë prezantohet t...
Policia arreston në flagrancë të dyshuarin për fajde
Mbahen homazhe pas sulmit vdekjeprurëse në Sydney
Ish-qendra e Trepçës, Andrew Gordon i bashkohet Vëllaznimit
Merr flakë makina në Llogara, digjet një person brenda autom...
Ylli kosovar, Drin “makazze” Shaqiri shkëlqeu në...