Tirana qendër e diplomacisë rajonale, të hënën zhvillohet Ministeriali i SEECP-së

19:53 | 14 Qershor 2025
Q L

Kryeqyteti shqiptar do të jetë sërish në qendër të diplomacisë ndërkombëtare ditën e hënë, më 16 qershor 2025, kur Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) do të organizojë Ministerialin e Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP).

Lajmi u bë i ditur nga Ministri, Igli Hasani përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale. Ministri Hasani theksoi angazhimin e Shqipërisë për integrimin evropian të vendeve të rajonit.

“Shqipëria, sërish në qendër të diplomacisë ndërkombëtare. Vendi ynë është i angazhuar plotësisht për të nxitur përparimin e vendeve të rajonit drejt integrimit në BE,”, u shpreh Hasani.

Ministeriali shënon përmbylljen e një viti të suksesshëm të presidencës shqiptare të SEECP-së, e cila ka operuar nën moton “Formësojmë të ardhmen tonë evropiane”. Tirana mori kryesimin e këtij forumi të rëndësishëm politik në korrik 2024, pas Shkupit, dhe do t’ia kalojë stafetën Sofjes në vazhdim.

Çfarë është SEECP?

Procesi i Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP) është një forum kyç politik i krijuar për të nxitur dialogun dhe bashkëpunimin në rajonin e Evropës Juglindore. Ai përbëhet nga 13 vende pjesëmarrëse, të cilat janë njëherazi edhe anëtare të Bordit të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC). Këto vende përfshijnë: Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Bullgarinë, Kroacinë, Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Moldavinë, Malin e Zi, Rumaninë, Serbinë, Slloveninë, Kosovën dhe Turqinë.

SEECP u iniciua në vitin 1996, gjatë takimit të Ministrave të Punëve të Jashtme në Sofje, ndërsa Samiti i parë u mbajt në Kretë në vitin 1997.

Këto takime shërbejnë si platforma thelbësore për adresimin e çështjeve rajonale dhe forcimin e marrëdhënieve mes vendeve anëtare me synim integrimin evropian./rtsh