Të tjera detaje për vrasjen e kryer nga Marjan Rroku? Një “dëshmitare” jep tjetër version

14:39 | 1 Mars 2016
Arbresh.info

Ka shkaktuar “tërmet” intervista e Marjan Rrokut për moderatorin Ardit Gjebrea, transmetuar këtë të dielë te “E Diela Shqiptare”. Ornela Canaj, motra e 16 –vjeçares Alda Canaj që u vra bashkë me nënën e saj nga ish –agjenti i Shërbimit Informativ në vitin 2001, reagoi ashpër e para.

Dje, në një intervistë të dhënë për emisionin “Dritare” të Rudina Xhungës, ajo tregoi arsyet e këtij reagimi: ka frikë se mos Marjan Rroku po manipulon drejtësinë dhe përfiton ulje dënimi për të dalë nga burgu. Dhe në të vërtetë Marjan Rroku e ka provuar vitin që shkoi me një kërkesë drejtuar Gjykatë së Lartë që t’i ulet dënimi, por kërkesa i është refuzuar (e gjeni në rubrikën lajme të lapsi.al). Marjan Rroku dha versionin e tij për ngjarjen dhe për lidhjen me Aldën. Ai tha se ajo ishte futur mes historisë së tij dhe një shoqje të saj. Rrefeu se kishte qëlluar pas një momenti konflikti me vajzën dhe nënën e saj, e cila, sipas tij, e kishte goditur me çantë. Por ai nuk tregoi përse i gjithë ky inat me një vajzë 16 –vjeçare dhe nënën e saj që kishte ardhur në Tiranë vetëm për ta mbrojtur prej tij, për ta shoqëruar në shkollë, siç pretendon e motra që e zbuloi vendndodhjen e Marjan Rrokut në SHBA, duke bërë të mundur edhe arrestimin e tij pas shumë vitesh arrati.

Ornela Canaj dha një version tjetër për ngjarjen. Sipas saj ata njiheshin, por nuk kishin lidhje. Ai e përndiqte dhe e keqtrajtonte. E kishte dhunuar duke i thënë do të vish me mua në Itali. “Ai që don të martohet nuk vepron kështu”, tha Ornela, duke hedhur hije dyshimi mbi qëllimin e idesë për të vajtur në Itali, që me gjasë ishte trafikimi.

Dy versioneve i është shtuar sot një tjetër, krejt i ndryshëm nga ai i familjares së dy viktimave dhe ai i vrasësit. Në një koment në faqen Facebook që Orlena Canaj hapi pas shfaqjes së intervistës së Rrokut, një vajzë që mban emrin Salma Shkreli, dhe që dukshëm shfaqet kundër Ornelës, tregon një tjetër histori. Ajo thotë se ishte Alda Canaj ajo që e kërkonte Marjan Rrokun dhe se kishte shkuar dhjetëra herë në zyrat e SHIK duke e kërkuar. “Mos e degjoni kete ornelen more se kjo eshte nje genjeshtare patologjike. Me genjeshtrat e saj po i vret per here te dyte nenen e motren e saj e jo ai krimineli. Meqe dashka te flase me fakte ajo por nuk dha asnje ne vizion plus, po e ndihmoj pak. Meqe ky krimineli ju ndiqte juve si shpjegohet qe alda ka ardhur ta takoje tek shiku me dhjeteta here? cdo gja duhet te jete e dokumentuar tek informscioni I shikut. si shpjegohet qe alda ka tentuar te helmohet duke marre hapa gjumi, (o marjanin o rash e vdica) ? kjo ka ndodhur ne nje bar ne qytet studenti dhe marjani ka kerkuar ndihmen e shpejte ku e kane derguar ne spitalin ushtarak. kjo mund te provohet me dokumente nga ky spital. si shpjegohet qe ai ju ndiqte juve por ai ne tirane e ju ne tirane. ai ne amerike e ju ne amerike?  si ka mundesi qe I gjithe shiku ju paska kercenuar juve, perfshire edhe fatos klosin?”. Komentuesja, nga një kërkim i thjeshtë, rezulton se e ka hapur llogarinë në Facebook rishtas. Është dukshëm kundër motrës së Alda Canajt, të cilës dalja e Marjan Rrokut në media i ka hapur plagë të vjetra e të rënda, të shkaktuara nga humbja e dy njerëzve më të arfërt e të pafajshëm, të vrarë me armë në mes të Tiranës, “teksa po mbronin njëra – tjetrën” nga plumbat e agjentit të SHIK. Me gjasë, pas emrit të saj fshihet dikush tjetër që nuk dëshiron të indentifikohet, por që kuptohet se është në brendësi të historisë së asaj kohe. Tani, kur drejtësia i ka mbyllur hesapet me Marjan Rroku, duke e lënë përfundimisht në burg përjetë, rihapja e kësaj historie duket se po hedh dritë mbi motivet e vërteta të krimit të dyfishtë, të cilat rrëfehen në versione të ndryshme nga palët prej 15 vjetësh. /Lapsi.al

Shpërndaje në rrjete sociale