Spiropali: Partneriteti me Zvicrën, i rëndësishëm për rrugëtimin europian të Shqipërisë

16:34 | 24 Shkurt 2026
R J

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali theksoi sot rëndësinë e partneritetit me Zvicrën për rrugëtimin europian të Shqipërisë.

Me ftesë të Ambasadores së Zvicrës në Shqipëri, Ruth Huber, Spiropali mori pjesë në prezantimin e Programit të Bashkëpunimit Zviceran 2026–2028.

Ky program, sipas saj, përfaqëson shembullin e partneritetit për zhvillim me Zvicrën, që prej tre dekadash vijon të mbështesë përparimin demokratik në vendin tonë, forcimin e institucioneve dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve publike.

Gjatë fjalës së saj, Spiropali e vuri theksin te asistenca ndër vite e qeverisë zvicerane në fusha themelore si demokratizimi i Shqipërisë, forcimi i institucioneve, rritja e efikasitetit dhe cilësisë së shërbimeve tona.

“Programi i fundit i zbatuar në periudhën 2022-25, ishte i strukturuar rreth 4 shtyllave mbajtëse: Qeverisja e mirë, zhvillimi ekonomik dhe punësimi, infrastruktura e shërbimeve, klima dhe energjia, si dhe shëndetësia. Të katërta këto shtylla pasqyruan dhe mbështetën direkt axhendën tonë të reformave”, u shpreh ajo.

Spiropali vlerësoi po ashtu se ky bashkëpunim nuk ka qenë vetëm mbështetje për institucionet.

“Ai ka pasur ndikim konkret në jetën e qytetarëve, për një sipërmarrës që gjeti akses në financim, për një bashki që përmirësoi standardin e shërbimeve publike, për një të ri që fitoi aftësi profesionale dhe një perspektivë më të sigurt për të ardhmen”, tha Spiropali.

Ministrja e Jashtme vlerësoi veçanërisht standardin e lartë të transparencës, monitorimit dhe llogaridhënies që ka karakterizuar këtë partneritet.

“Ky standard ka qenë jo vetëm garanci për menaxhimin korrekt të fondeve, por edhe një shkollë e rëndësishme për institucionet tona. Për të gjitha këto arsye, duke parë rrugën që kemi bërë së bashku, jam besimplotë për programin e ri që çelet”, tha Spiropali.

Ministrja e Jashtme shprehu bindjen se bashkëpunimi zviceran do të japë një asistencë të rëndësishme në këtë moment kyç për Shqipërinë.

“Një moment në të cilin rruga jonë europiane është sot më e strukturuar dhe më e qartë, me objektiva të artikuluara për vitet në vijim dhe me një kalendar orientues që synon 2027-n dhe 2030-n si etapa të rëndësishme të procesit”, tha Spiropali.

Spiropali nënvizoi se Zvicra do të vijojë të mbetet një prej partnerëve më të rëndësishëm, me të cilin na bashkon jo vetëm komuniteti prej 250 mijë shqiptarësh, që jeton në vendin mik, por edhe një vizion i ngjashëm për të ardhmen.

Në këtë kapitull të ri bashkëpunimi, Spiropali nënvizoi se prioritetet e Shqipërisë janë të qarta për dialog politik dhe fuqizim të marrëdhënieve ekonomike.

“Ne do të vijojmë të mbajmë aktiv dialogun tonë politik, për të fuqizuar më tej aksin e bashkëpunimit Bern–Tiranë. Do të punojmë për të thelluar marrëdhëniet ekonomike, duke promovuar investimet, rritur volumin tregtar dhe identifikuar fusha të reja bashkëpunimi për sipërmarrjen tonë. Bashkëpunimi shqiptaro-zviceran mund të fuqizohet më tej në fusha me interes të përbashkët, si inovacioni, siguria kibernetike, turizmi, arsimi profesional dhe sektorë të tjerë me potencial të lartë. Jam e bindur se ky do të jetë drejtimi ynë i përbashkët”, shtoi Spiropali.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme