Spiropali në katedrën e Albanologjisë në Mynih: Pikë referimi e identitetit shqiptar në hapësirën europiane

12:21 | 15 Shkurt 2026
E.G

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, vizitoi katedrën e Albanologjisë në Universitetin Ludwig-Maximilian të Mynihut, ku u riafirmua një lidhje e fortë midis Shqipërisë dhe Europës përmes dijes dhe diplomacisë.

Spiropali u prit nga zv. Presidentja e LMU-së për Humanitetet, Prof.dr. Carola Metzner-Nebelsick, dhe drejtuesja e katedrës, Prof. dr. Enkeleida Kapia, anëtarë të dekanatit, profesorë, studentë e alumni, me të cilët foli për rëndësinë historike, akademike dhe politike të kësaj katedre qysh prej themelimit të saj, pothuajse 60 vite më parë.

Katedra u themelua nën drejtimin e Martin Camaj, me mbështetjen e shtetit bavarez ndër dekada, dhe tashmë ka mbështetjen e kryeministrit Rama dhe shtetit shqiptar.

Spiropali theksoi se “ka qenë edhe roli i padiskutueshëm i kësaj katedre në marrëdhëniet që Shqipëria ka pasur historikisht me Europën, botën politike dhe kulturore, puna e rëndësishme kërkimore-shkencore në të kaluarën deri sot, që e kanë shndërruar Albanologjinë në Mynih në një urë të qëndrueshme dijeje, dialogu dhe bashkëpunimi”.

“Kjo katedër ka qenë dhe mbetet një pikë referimi për studimin e gjuhës, historisë dhe identitetit shqiptar në hapësirën europiane, një dëshmi se rrugëtimi ynë europian është ndërtuar jo vetëm përmes politikës, por mbi themele të forta identitare, akademike e kulturore”, tha Spiropali./atsh.al