Shqipëria merr pjesë me 180 shkolla në testimin ndërkombëtar PIRLS 2026

22:11 | 23 Shkurt 2026
E.G

Ministrja e Arsimit të Shqipërisë, Mirela Kumbaro, ka zhvilluar një takim pune me drejtuesit e Zyrave Vendore Arsimore për organizimin e testimit ndërkombëtar PIRLS 2026, ku Shqipëria do të përfaqësohet me 180 shkolla gjatë muajit mars.

PIRLS është një vlerësim ndërkombëtar që mat aftësinë e nxënësve 10-vjeçarë për të lexuar dhe kuptuar tekstin, ndërsa këtë vit vendi ynë do të marrë pjesë për herë të parë në mënyrë plotësisht digjitale.

Kumbaro tha se “po vijon puna e koordinuar me të gjitha strukturat arsimore, si në aspektin përmbajtësor ashtu edhe në atë logjistik, për të garantuar standarde të larta në këtë proces të rëndësishëm vlerësimi ndërkombëtar”.

PIRLS, i cili kryhet çdo pesë vjet që nga viti 2001, njihet si standardi global për vlerësimin e trendeve në arritjet në lexim në klasën e katërt.

PIRLS ofron të dhëna krahasuese ndërkombëtare se sa mirë lexojnë fëmijët dhe ofron informacione relevante për politikat për përmirësimin e të nxënit dhe mësimdhënies. PIRLS organizohet nga IEA, Shoqata Ndërkombëtare për Vlerësimin e Arritjeve Arsimore./rtsh.al

Të ngjashme